“Ne nuk komunikojmë më me politikën” Liçaj: Kryeministri i ka shpallur luftë të hapur artit dhe kulturës
Aktori i njohur Neritan Liçaj në një intervistë për Ora News ka deklaruar se kryeministri Edi Rama i ka hapur luftë artit dhe kulturës së vendit.
Sipas Liçajt, mungon një figurë që të lidhë artin dhe politikën, duke shtuar se artistët e kanë humbur urën lidhëse në këtë pjesë.
Liçaj: Ka plot figura të majta që kanë qenë figura emblematike të socialistëve, tani nuk ke më. Tani është një luftë e shpallur nga kryeministri, bashkë me rilindjen, hapur kundra artit dhe kulturës. Këngëtarët s’po punojnë, opera s’po punon, teatri s’po punon, galeria është mbyllur, biblioteka nuk jep më libra se është përmbytur dy herë në qeverisjen Rama, muzetë janë mbyllur. Nuk është se janë mbyllur tani prej pandemisë, por kanë qenë të mbyllura dhe më parë. Dy teatrot u shkatërruar në atë formë fashiste. Nuk mendoj që socialistët e mirë, që e duan artin e vendit të tyre të jenë dakord me këtë sulm që iu bë artit.
Unë mendoj se figura socialiste si Agolli dhe të tjerë mungojnë. Ti nuk ke një figurë të mirë në thelb që të lidhë politikën me artin, të jetë një urë ndihmëse që të dyja këto asete të komunikojnë me njëra-tjetrën. Nuk komunikojmë më me politikën.
Intervista në studio për gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Tea Islamaj.