"Nuk nxjerr dot xhenazen nga shtëpia", qytetarët ankohen për parkimet dyshe në kryeqytet

Drejtuesit e automjeteve vijojnë të parkojnë çdo ditë automjetet e tyre në mënyrë të parregullt, duke rrezikuar jo pak jetën e kalimtarëve. Parkimet e gabuara apo ato dyshe i ndesh në çdo rrugë të kryeqytetit, ndërsa qytetarët kërkojnë ndëshkimin e të gjithë atyre që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Parkimet dyshe te automjeteve vazhdojnë të jenë një shqetësim serioz. Një situatë të tillë, siç mund ta shikoni dhe në video, e gjen në çdo rrugë të kryeqytetit.

Edhe pse drejtuesit e sektorit të policisë rrugore u angazhuan për të luftuar këtë fenomen, duket se situata vijn të jetë e njëjtë.

Një situatë e tillë është sa e bezdisshme gjatë lëvizjes aq edhe e rrezikshme, pasi drejtues të pakujdesshëm parkojnë makinat e tyre në çdo hapësirë bosh të rrugës duke sjellë kaos në trafik.

Qytetarët thonë se policia rrugore duhet të marrë masa në përmirësimin e situatës, pasi vihet në rrezik jeta jo vetëm e këmbësorëve, por edhe e drejtuesve të biçikletave.

"Ti futesh në korsi dhe vjen tjetri të dëmton. Është shqetësim i madh, më shumë kur makinat zënë korsinë e biçikletave."

"Nuk nxjerr dot xhenazen nga shtëpia se janë makinat e parkuara, fatkeqësi kombëtare."

"Vetëm rrëmujë sjellin për pasagjerët por edhe njëri-tjetrin, aksidente. Shumë shqetësuese."

Kërkojnë që ndaj shkelësve të qarkullimit rrugor të aplikohen gjoba, ndërsa nuk ngurojnë që të fajësojnë drejtuesit e mjeteve për këtë shkelje të Kodit Rrugor.

"Shteti është shtet, shteti e vendos rregullin."

Muaj më parë ishte ish-ministri i Brendshëm Lleshaj që u shpreh se parkimet dyshe do luftoheshin si virus, por angazhimi zgjati vetëm disa ditë duke bërë që situata të jetë e njëjtë.