Reportazh/ Ora News hyn në Obotin e përmbytur, aty ku njerëzit prej javësh jetojnë mes ujit

Varkat janë i vetmi mjet që lidh Obotin me pjesën tjetër. Udhëtimi deri në fshat zgjat 15 deri në 25 minuta me mjetet e forcave të armatosura

Duket sikur lundron në Liqen.

Uji ka mbuluar tokat bujqësore, ka dëmtuar serat e kultivuara dhe ka rrethuar shtëpitë e fshatit prej gati një muaji.

Banorët janë të lodhur nga kjo gjendje e krijuar dhe nuk hezitojnë ta shprehin.

Për ta nuk është pasojë e natyrës

“Askush nuk ka ardhur. Oboti nuk është i pabanueshëm për shkak të natyrës por na dëmtojnë hidrocentralet”

Këmbët në tokë prekin vetëm në rrugën kryesore.

Për të lëvizur brenda fshatit duhen çizmet e peshkatarit dhe sërish varkat

Oboti është fshati i parë që përmbytet dhe i fundit që uji tërhiqet.

Familjet janë vendosur në katet e sipërme të shtëpive.

Pas vitit 2011 e 2018, kjo është përmbytja e tretë e madhe e nën-Shkodrës nga vërshimi i ujrave, që janë kthyer në mysafirin e padëshiruar të çdo dimri.