U gjet i mbytur, gruaja e ish-ministrit kërkon rihapjen e çështjes: Mund të jetë vrarë

Vdekja e ish-ministrit grek Sifis Valyrakis që u gjet pajetë në mes të detit pasditen e së dielës, ka marrë një tjetër rrjedhë hetimi. Ka qenë gruaja e ish-ministrit ajo e cila ka kërkuar që hetimet të rihapen pasi ajo dyshon se ai mund të jetë vrarë.

Ai kishte hyrë në det për të peshkuar me anë të një motobarke por duket se koha e keqe bëri që barka të përmbysej.

Valvrakis ra në ujë dhe u gjet nga polumbarët i goditur në kokë dhe me një gisht të prerë të dorës së majtë.

Sipas mediave greke, familja e Valyrakis ka kërkuar shtyrjen e varrimit të tij, në mënyrë që të zgjerohen hetimet, shkruajnë mediat greke.

Gruaja e ish-ministrit, Mina Papatheodorou i ka dërguar një letër ministrit të Transportit ku i thotë se “njerëzit në komunitetin e vogël të Eretrias flasin dhe mund të paraqesin informacion në lidhje me përfshirjen e një anijeje peshkimi në aksidentin që i mori jetën Sifis Valyrakis dhe mund të dalë në pah versioni i vrasjes. Ne ju nxisim të veproni menjëherë në mënyrë që hetimet të shpejtohen”.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore në trupin e ish-ministrit janë konstatuar dy plagë në kokë që dyshohet se i ka marrë nga goditja e helikës pas rënies nga varka e tij.