I dënuar politik gjatë diktaturës, por mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, ish-ministri grek gjendet i i vdekur në rrethana të paqarta
Ish-ministri grek, Sifis Valiraqis, është gjetur i vdekur nga rojet bregdetare greke në afërsi të Eretrias, 40 km në veri të Athinës.
Sipas rojeve bregdetare ai u gjet në det pak metra larg motoskafit të tij, i cili ende ishte me motor të ndezur.
Ka qenë bashkëshortja e Valiraqis ajo e cila njoftoi autoritetet pasi ai nuk ishte kthyer në banesën e tij.
Menjëherë në zonë kanë mbërritur forcat e rojes bregdetare,të cilat fillimisht gjetën skafin tip gomone, motorët e të cilit ishin ende në punë, ndërsa pak me tej u gjet trupi i pa jetë i tij.
Dyshimet e para janë të rënies nga mjeti lundrues,dhe humbje të jetës si pasojë e ipotermisë, pasi në zonë temperatura ishte rreth 6 gradë celsius. Sifis Valiraqi ishte politikan tepër i njohur i së majtës Greke.
Valiraqi ishte në listën e personave të cilësuar si tepër i rrezikshëm prej diktaturës Helene dhe është burgosur disa herë. Ai mundi të arratiset nga burgu në Greqi, por u kap gjatë tentativës së tij për të kaluar në Jugosllavi në vitin 1971.
Po atë vit u burgos sërish në Korfuz, nga ku mundi të arratiset dhe të kalojë me not në Shqipërinë komuniste, ku kërkoi azil politik.
Fillimisht u akuzua prej sigurimit si agjent grek dhe u dënua me 3 vjet punë të detyruar në Fier, por në vazhdim u lirua prej qeverisë së Enver Hoxhës falë ndërhyrjes së komunistëve maoistë të Kinës,të cilët ndërmjetësuan lirimin e tij.
Vitet e Valiraqis në Shqipëri ishin të qeta,dhe me rënien e juntës,u rikthye sërish në Greqi.
Ai mbajti marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë dhe miqtë e tij në Shqipëri.
Valiraqis njihej si mik i shqiptarëve, madje ishte mbrojtësi i të drejtave të emigrantëve shqiptarë që jetonin në vend.
Disa herë kishte kritikuar operacionet fshesa,dhe ishte një ndër inicuesit e ligjit për pajisjen e emigrantëve shqiptarë me leje qëndrimi në vend.
Nga viti 1977-2003 zgjidhej rregullisht deputet i Hanisë në Kretë.
Ai shërbeu si ministër i transportit dhe ministër i rendit,ndërsa u largua përfundimisht nga politika në vitin 2003.
Figura e Valiraqit ishte e diskutueshme në qarqet politike vendase dhe ato europiane, ndërsa amerikanët dyshonin se ai ishte shef i organizatës terroriste 17 Nëntori.
