Kurti s’mund të kandidojë, VV me 5 kandidatë më pak në garën zgjedhore
Paneli Zgjedhor në Kosovë ka marrë vendim këtë të martë se Albin Kurti s’mund të jetë kandidat për zgjedhjet e shkurtit. Gjithashtu, në vendimin e Panelit, Nisma Socialdemokrate është certifikuar si parti politike për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Albin Kurti nuk mund të jetë kandidat për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit në Kosovë ka vendosur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Ky organ ka arsyetuar se edhe Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi nga Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të jenë kandidatë për këto zgjedhje.
Në vijim, Paneli arsyeton se 5 kandidatët e Vetëvendosjes nuk ka të drejtë t’i zëvendësojë askush, pasi ka kaluar afati për këtë.
Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me 5 kandidatë më pak për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, sepse ka kaluar afati, dhe zëvendësimi i tyre mund të bëhej deri më 21 janar.
Sipas ligjit, të gjitha palët që nuk janë të kënaqura me vendimet e PZAP-së mund t'i drejtohen Gjykatës Supreme. Palët brenda 24 orëve mund të dorëzojnë ankesat në Supreme dhe Gjykata më pas ka afat 72 orë që t'i përgjigjet ankesave të paraqitura.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se ky institucion do të respektojë të gjitha vendimet e marra nga PZAP-ja.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që solli edhe rrëzimin e qeverisë Hoti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka ndërmarrë një proces verifikimi të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e shkurtit, për të parë nëse ata nuk kanë probleme me ligjin.
Vendim për ndalimin e kandidimit të anëtarëve të Vetëvendosjes vjen pasi më 3 janar të vitit 2018, deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi u dënuan me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit i ka dhënë formë të prerë akuzës ndaj tyre.
Paneli po ashtu ka vendosur që Nisma Socialdemokrate të certifikohet si parti politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, por ka refuzuar kërkesën për certifikimin e 12 kandidatëve për deputetë të kësaj force. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka probleme me certifikimin e kandidatëve Shemsedin Dreshaj, Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati, të cilët nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë.