Rrugët e “Salillarit” po rrëshqasin, aksi Vlorë-Orikum shfaq probleme për herë të dytë brenda muajit

Disa nga rrugët kombëtare që mirëmbahen nga kompania Sallilari, shfaqin probleme sa herë përkeqësohet moti. Aksi Vlorë-Orikum, pësoi rrëshqitje për herë të dytë brenda muajit. Edhe në aksin Himarë, Borsh ende lëvizet vetëm në një sens si pasojë e rrëshqitjes së fillim janarit.  Bllokim pati edhe në Fier-Ballsh.

Rruga Vlorë-Orikum që mirëmbahet nga kompania Salillari ka pësuar një tjetër rrëshqitje pas reshjeve të shiut që përfshinë vendin.

Siç tregojnë pamjet, çarja e rrugës pranë vendit të quajtur si “Zhironi”  është thelluar, në një gjatësi prej 50 metrash.

Për pasojë lëvizja në këtë pikë të rrugës kryhet vetëm me një sens, ndërsa kjo tabelë e konet janë treguesit e vetëm të rrezikut.

Rrëshqitja masive kërcënon një biznes poshtë rrugës, ku pronari në vazhdimësi ka denoncuar mungesën e ndërhyrjes nga firma Salillari.

"E kam lajmëruar firmën Salillari, kanë ardhur këtu dhe i kanë hedhur pak zhavorr dhe gjysmë thesi çimento."

Siç konfirmon prefekti i Vlorës, rrëshqitja mbetet aktive edhe në rrugën Borsh, Himarë, një tjetër aks që mirëmbahet nga kompania Salillari, i cili.

"Kam patur shtim të cedimit apo të rrëshqitjeve në segmentin e rrugës që lidh Vlorën me Orikumin, të njëjtën situatë e kemi dhe në Borsh."

Për pasojë të rrëshqitjeve të dherave lëvizja u bllokua edhe në aksin Fier-Ballsh, pranë vendit të quajtur Visokë.

Drejtuesit e mjeteve fajësuan mungesën e mirëmbajtjes.

"Nuk kanë vënë dorë fare, ata që nuk e njohin rrugën vriten."

Probleme nga rrëshqitja e dherave dhe gurëve kishte në shumë rrugë rurale në të gjithë vendin.

https://youtu.be/Vm-7l5V-S7s