Shi, borë dhe ulje temperaturash, ja si do të jetë moti gjatë kësaj jave
Dita e sotme mbetet me kthjellime dhe vranësira të pakta deri në orët e mesditës, më pas kemi një fuqizim të vranësirave në territorin shqiptar duke sjellë reshje shiu si fillim në zonat veriperëndimore dhe veriore të territorit shqiptar. Më pas këto reshje shiu përfshijnë edhe zonat qëndrore.
Akil Osmani nga Meteoalb në një lidhje me skype për emisionin "Ditë e Re" në Rtv Ora bëri me dije se orët e mbrëmjes dhe mesnatës përfshijnë të gjithë territorin shqiptar duke bërë që edhe mëngjesi dhe paraditja e ditës së martë të ketë reshje shiu.
Për fat të mirë do të kemi largim të tyre në pjesën e dytë të ditës së martë.
Dita e mërkurë dhe në vijim sipas Osmanit do të jetë kryesisht me mot të kthjellët por pritet sërish që gjatë fundjavës të kemi herë pas here zhvillim të vranësirave duke sjelljë reshje të pakta, kryesisht gjatë ditës së shtunë, orëve të mbrëmjes dhe shumë pak mëngjesi i ditës së dielë.
Sa i përket vlerave termike, kemi pasur rënie me 1-2 Gradë gjatë ditës së sotme.
Kjo rënie do të vijojë deri ditën e mërkurë dhe të enjte duke bërë që vlerat minimale të zbresin në zonat malore -5, -6 Gradë Celcius.
Ndërsa maksimumet do të kthehen sërish në vlerat 11-12 Gradë Celcius.
Reshjet e dëborës më të shumta do të jenë gjatë ditës së martë, ku zonat juglindore dhe lindore do të jenë të ekspozuara.