Rama mbledh drejtuesit e PS në qarqe, Balla: Konsultimet e fundit për listat 25 prillit

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetari i Partisë Socialiste, mblodhi sot drejtuesit e qarqeve në lidhje me organizimin për zgjedhjet e 25 prillit.

Qëllimi i mbledhjes ka qenë organizimi për zgjedhjet e 25 prillit.

Në përfundim të saj, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla tha se është shumë e rëndësishme të kemi zgjedhje me standarde dhe të gjithëpranuara në 25 prill.

Balla: Mbledhja e sotme ishte një raportim i 12 drejtuesve mbi të gjitha çështjet që kanë detyra specifike. Jemi katër muaj para zgjedhjeve dhe jemi të detyruar të zbatojmë librin e rregullave të  KQZ. Është me rëndësi që zgjedhjet e 25 prillit të jenë me standarde dhe për këtë qëllim do të presim  sot OSBE-ODIHR në funksion të zgjedhjeve të lira dhe demokratike dhe të gjithëpranuara. Është me shumë rëndësi që PD të pranojë zgjedhjet.

Për kandidaturat për deputetë të PS, Balla tha se listat janë pothuajse gati por po bëhen konsultimet e fundit.

Balla: PS ka zhvilluar një proces shumëplanësh për vlerësimin dhe caktimin e kandidaturave. Kemi përmbyllur fushatën "Deputeti që duam" dhe kemi arritur në një grup përfaqësuesish shumë të mirë.Jam i sigurtë që në të gjitha qarqet do të kemi përfaqësues të djemve dhe vajzave që kanë ardhur përmes këtij procesi. Edhe nga vlerësimi i deputetëve aktualë kemi marrë një  feedback shumë pozitiv. Lista e kandidatëve do të jetë uniforme nga kreu i listës te i fundit në listë. Kam besim  se në shumë lista dhe shumë qarqe do të ndryshojë për shkak të preferencave. Listat janë pothuajse gati. PS është sot e vetmja alternativë për ti besuar votën.

Takimet e Ramës me drejtuesit politik ishin pezulluar që në muajin nëntor kur u ndërmorën edhe masat anticovid nga Komiteti Teknik.

Tashmë këto mbledhje kanë rinisur në Partinë Socialiste për të organizuar strukturat për 25 prillin.