Përgjimet e antimafias italiane/ Pse në Shqipëri "nuk i hyn gjembi në këmbë" askujt? Ja si përgjigjet analistja

E ftuar në RTV Ora, ekspertja e komunikimit dhe analistja Edlira Gjoni foli edhe mbi skandalin e zbuluar nga përgjimet e anti-mafias italiane dhe të publikuara nga Ora News.

E pyetur nga gazetarja Besmira Pelushaj se, si shpjegohet që në Itali ka të arrestuar, ndërsa në Shqipëri "nuk i hyn gjembi në këmbë" askujt, Gjoni u përgjigj:

"Ne jemi akoma një shoqëri dhe demokraci në zhvillim, eksperimentale. Një shtet 30 vjet në tranzicion, ndërsa Italia dhe vende të tjera si ato gjermanike apo nordike me demokraci të konsoliduara, kanë festuar 200-vjetorin e mosvjedhjes në rrugë (vendet nordike). Ne në Shqipëri ndëshkueshmërinë e nuk kemi të vendosur ende dhe kështu të gjithë vazhdojnë të mos shqetësohen për çfarëdo lloj gjëje anti-ligjore që bëjnë sepse nuk ka ligj që i fut në burg, as atë që vjedh në rrugë, as atë që vjedh arkën e shtetit. As atë që abuzon me pozicionin apo me pushtetin e tij".

Lidhur me përgjimet dhe lidhjen e Ndraghetas me Shqipërinë dhe politikën këtu, Gjoni u shpreh se,

"Mos harroni që në Italinë e viteve '80 dhe në fillim të viteve '90, Italia shtet i konsoliduar dhe me atë sistem drejtësie, u desh të shkundej nga themelet. Dhe mos harroni gjyqin e famshëm, ku ishin gati 400 të pandehur që u vendosën para gjykatës italiane që të arrihej të depërtohej në mafian italiane. Ne nuk e kemi as atë vullnet, as ata njerëz, as atë përmasë dhe as atë mbështetje politike. Nuk duket që qeveria në Shqipëria ka dëshirën që kishte qeveria apo populli italian për të vendosur para drejtësisë mafian në vitet '80. Unë nuk e shoh atë shkëlqim në sytë e drejtësisë shqiptare, as në 8 vitet e fundit, as në 8 vitet para saj", tha ndër të tjera Edlira Gjoni.

Lexo edhe:

Përgjimet e Antimafias/ Ndragheta për Shqipërinë: Nëse hyn ministër ai i yni, do të na firmosë kontratën menjëherë