Predha në lumin Mat, municionet luftarake u demontuan nga forcat Xhenio, ekspertët: Banorët të tregojnë kujdes

Tre predha luftarake të paplasura u zbuluan në shtratin e Lumit Mat në Klos, dhe u demontuan nga forcat Xhenio. Por ekspertët u kërkojnë banorëve tre tregohen të kujdesshëm në rast se hasin në municione.

Një predhë e paplasur që rrezikonte të shkaktonte tragjedi u gjet në shtratin e lumit Mat.

Ishte një banor i zonës që dha alarmin për municionin, ndërsa krehja e zonës zbuloi edhe dy predha të tjera.

Të trija u demontuan me shpërthim të kontrolluar nga forcat xheniere.

Rasti  ka ngritur një alarm se në zonë mund të ketë edhe municione të tjera, ndaj banorëve të zonës u kërkohet që të tregohen të kujdesshëm.

Predhat dyshohet se mund të jenë mbetje nga tunelet e municioneve luftarake tek ish-pazari i vjetër, tunele të cilat u certifikuan të pastra pak kohë më parë nga Ministria e Mbrojtjes.

Por nuk përjashtohet mundësia që ato të jenë hedhur nga banorë të cilët në vitin 1997 morën municione luftarake nga këto tunele.