Dosja e 21 janarit, Sokolaj: Gjyqtarët janë shkarkuar nga vettingu, nuk është gjetur predha që goditi Hekuran Dedën
Drejtori i Departamentit të Informacionit të Ora News, Trashgim Sokolaj në një intervistë për RTV Ora ka folur në lidhje me mundësinë e rihapjeve të hetimeve të dosjes së 21 janarit.
Sokolaj ka thënë se trupat hetimore si prokurorët dhe gjytarët kanë ndryshuar për shkak të kohës, ndërkohë që shton se për këtë ngjarje është lëshuar dënim për dy zyrtarë të Gardës së Republikësve vetëm për vrasjen e Ziver Veizit dhe Faik Myrtos. Sakaq Sokolaj ka shtuar se për Hekuran Dedën nuk është bërë e mundur gjetja e predhës që e ka qëlluar.
Sokolaj: Drejtori e Policisë së Tiranës me iniciativën e saj ka dërguar në Prokuroria një kërkesë zyrtare, ku sugjeron rihapjen e hetimeve për dosjen e 21 janarit me propozimin e kryerjes së 7 hetimeve, me të cilat policia pretendon dhe shpreh besimin e saj se kjo çështje duhet të rijetohet. Përtej atyre 7 pikave që ka renditur policia, duhet të kemi parasysh diçka që duke qenë se ka kaluar shumë kohë, dosja nuk është më në duart e atyre prokurorëve ose gjyqtarëve që e kanë trajtuar njëherë. Një pjesë e prokurorëve janë larguar nga vettingu, ndërkohë që të gjithë gjyqtarët që janë marrë me dosjen e 21 janarit janë shkarkuar nga vettingu, nuk janë sot në sistemin e drejtësisë.
Edhe për këto lloj pretendimesh që ngre policia, vettingu është hakmarrë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë marrë me çështjen. Gjykoj se objekti i kërkesës së policisë është i papërcaktuar mirë. Për ngjarjen e 21 janarit 2011 ka pasur një vendim të Gjykatës së Apelit të formës së prerë, i cili është dërguar nga Prokuroria për rekurs në Gjykatën e Lartë në 2016, dhe kjo e fundit e ka lënë në fuqi sepse nuk kishte kushte për prishjen e atij vendimi. Vendimi ka qenë që komandanti i Gardës, Ndrea Prendi dhe shefi i njësisë speciale të Gardës Agim Llupo të shpalleshin fajtorë dhe të dënoheshin përkatësisht Llupo me 3 vjet heqje lirie dhe Prendi me një vit heqje lirie, për akuzën e “Vrasjes nga Pakujdesia”.
Prokuroria megjithëse një pjesë e hetimit është bërë në kohën qeverisjes së PD, ajo ka ezauruar të gjitha rrugët dhe hapat ligjor që mund të ndërmerrte për ta kundërshtuar këtë vendimmarrje që duket sikur shkonte në favor të të pandehurve, zyrtarëve të Gardës së Republikës.
Janë dy të dënuar me një masë dënimi për të cilën çdokush mund të ngrejë dyshime dhe pikëpyetje për të qenë më e lartë, por janë dy të dënuar dhe nëse shikojmë fashikullin e dosjes së 21 janarit, dënimi i Prendit dhe Llupos ka ndodhur për vrasjen e dy personave Ziver Veizit dhe Faik Myrtos. Vrasja e Hekuran Dedës ka pasur një moment të paqartë që ka qenë që plumbi që e ka goditur ka qenë tejshpues, pra ka hyrë në trup dhe ka dale dhe nuk është gjetur. Duke qenë se nuk është gjetur predha, Prokuroria ka bërë tentativën e saj për ta përcaktuar autorësinë. Si pasojë hetimet dyshojnë se është goditur nga një gardist vetëm duke u bazuar te pamjet.