Burg përjetë burrit që vrau nusen e vëllait, la jetimë 4 fëmijë
Gjykata e Tiranës ka deklaruar fajtor duke dënuar me burgim të përjetshëm Dashamir Xhepën, personin që vrau kunatën e tij dhe më pas e hodhi trupin e pajetë në ferra.
Vendimi është dhënë ditën e sotme, ndërkohë në një seancë më parë prokurori Albert Demirneli, në pretencën e tij, i ka kërkuar gjyqtarit, Artan Gjermeni, të dënojë Xhepën me burg përjetë.
Krimi i rëndë ndodhi në shkurt 2019, ndërkohë Xhepa u arrestua në një hotel në Peshkopi, ndërsa efektivët e policisë ishin kamufluar si klientë. Gruaja 49-vjeçare, Lirie Xhepa nëna e 4 fëmijëve, u gjet e pajetë pranë kodrave të liqenit të Sharrës.
“Kishim konflikte për pronat pas ndarjes nga jeta të vëllait tim, na kishte ulur reputacionin e familjes duke krijuar mardhënie intime me të tjerë në fshat ndaj e vrara”-ka deklaruar Dashamir Xhepa, para gjykatës.