Skandali në Gjykatën e Shkodrës/ Gjyqtari liron të kërkuarin nga SHBA për shkak të vonimit të letërporosisë
Gjykata e Shkodrës përfshihet në një skandal, për shkak të lirimit nga burgu i Reçit, të Arben alias Arbin Bregut, i arrestuar nga policia kriminale, në muajin korrik 2020.
Lirimi i tij është kryer ditën e dielë, në 17 janar 2021, nga gjyqtari i Shkodrës, Andri Ymeri.
E habitshme është se seanca gjyqësore është zhvilluar në një ditë zyrtare pushimi.
Ky që po shihni në pamje është vendimi ku urdhërohet shuarja e masës së sigurisë “arrest në burg”, për të kërkuarin nga drejtësia amerikane.
Gjyqtari ka përdorur si argument vonesën e ardhjes së letërporosisë nga SHBA dhe tejzgjatjes së afatëve të paraburgimit.
Madje nuk është pranuar asnjë masë ndalimi si “arrest në shtëpi” apo qoftë dhe “detyrim paraqitje”.
Në procesin gjyqësor të zhvilluar ditën e dielë, kishte paraqitur një kërkesë dhe Ministria e Drejtësisë, e cila argumentonte se vonesa e ardhjes së dosjes hetimore nga SHBA, ishte kryer për shkak të masave të pandemisë.
Më tej në fund të kërkesës, kërkohet që të mos lironte nga burgu, Arben Bregun, pasi ishin në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e drejtësisë amerikane, për sjelljen në kohë të letërporosisë.
Bregu, kërkohet nga autoritetet amerikane, pasi akuzohet se në qershor të vitit 2013 në qytetin Duval të Floridës, jashtë një restoranti, ka qëlluar disa herë me armë zjarri një shtetas amerikan, duke e plagosur rëndë.
Pas këtij krimi në vitin 2016 ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzën e tentativës së vrasjes.
Lokalizimi i tij, është bërë në vitin 2020 në Shkodër.
Për këtë është dashur bashkëpunimi mes Interpol Tirana, Ambasadës amerikane në kryeqytet dhe Interpol Ëashingtonit, ku Bregu është zbuluar se fshihej në lagjen “Skënderbej” në Shkodër.
Ndalimi i të kërkuarit nga drejtësia amerikane, është kryer nga agjentët e policisë kriminale në Shkodër, në muajin qershor 2020.
Autoritetet amerikane i janë drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar ekstradimin e tij në SHBA, vend në të cilin ai duhet të gjykohet.