Komiteti Teknik nuk lëkundet para Kushit: Mësimi në Universitete online, rrezik i shtuar variantet e reja të Covid
Të enjten Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos ndryshojë masat kufizuese të pandemisë. Vazhdimin e mësimit online për universitetet mjekët e argumentuan me faktin se të rinjtë e grupmoshës 15-24 vjeç janë më të predispozuar për t`u prekur nga mutacionet e reja të Covid-19.
E vënë në presionin e drejtuesve të universiteteve por edhe vetë studentëve, Ministria e Arsimit Evis Kushi së bashku me Ministren e Shëndetësisë Mansatirliu zhvilloi këtë pasdite një seancë dëgjimore me Komitetin Teknik të Ekspertëve lidhur me procesin e mësimit.
Njëri pas tjetrit, ekspertët e shëndetësisë dhanë argumentet e tyre se pse vendimi për të vijuar mësimin online mbetet i pandryshuar për një kohë të pacaktuar.
Rakacolli: Në mbledhjet që kemi zhvilluar që krahas masave për të vazhduar orën policore, ndërprerjen e fluturimeve direkte me Britaninë e Madhe menduam që edhe mësimi në universitete të vazhdojë online. Po ashtu qëndrimi në konvikte e shton shumë rrezikon e infeksionit dhe mundet që konviktet të shndërrohen në vatra të sëmundjes. Tirana ka numrin më të lartë të infeksioneve dhe shumica e universiteteve janë të përqëndruar në Tiranë. Ardhja e studentëve dhe qëndrimi i tyre në konvikte dhe pastaj shkuarja në shtëpitë e tyre nëpër qytete të ndryshme bën që të shpërndahet infeksioni dhe në ato qytete ku ne tani e kemi të kontrolluar.
Bino: E kuptoj shumë mirë shqetësimin tuaj se jemi dhe vetë pedagogë. I dimë sfidat e mësimit online. Me shfaqjen e varianteve të reja qoftë në Mbretërinë e Bashkuar apo të tjera është vënë re se mosha 15-24 vjeç jo vetëm preken por shërbejnë si transmetues në moshat e tjera. Është një vendim jo i dëshirueshëm por mbi këto fakte është një vendim që duhet marrë për një kohë të caktuar. Të shpresojmë se vaksinimi i popullatës do të na sjellë vërtet buzëqeshjen.
Çomo: Brezi i ri janë port-hyrje për ta dërguar virusin edhe te familjet e tyre. Bërja e mësimit në rrugë normale do të ishte diçka e mirë për mësimin, por së pari është shëndeti i popullatës. Më mirë të kesh auditore bosh sot dhe spitale bosh nesër, sesa auditore plot sot dhe spitale të tejmbushura nesër me pacientë me Covid prej të cilëve ju e dini që ka dhe humbje jete.
Përballë tyre, Kushit nuk i mbeti tjetër përveç se të kërkojë mirëkuptimin dhe solidaritetin e institucioneve të arsimit të lartë dhe vetë studentëve.
Të enjten autoritetet shëndetësore raportuan për 5 humbje jetë dhe 689 raste të reja me koronavirus.
Prej 6 janarit është vërejtur rritje e numrit të infektimeve por për fat të mirë numri i vdekjeve ka qenë i qëndrueshëm.