Dogjën mandatet, PD dhe LSI-së u duhet të mbledhin firma për tu regjistruar për 25 prillin

E braktisën parlamentin duke djegur mandatet, por tashmë që duhet të rikthehen, PD dhe LSI duhet të mbledhin secila nga 5 mijë firma mbështetësish. Për këtë, të dy partitë kryesore opozitare kanë marrë formularët nga KQZ dhe kanë nisur mbledhjen e firmave në terren, me qëllim që të depozitojnë listën e kandidatëve për 25 prillin.

Për herë të parë nga themelimi i saj, Partia Demokratike po mbledh firma tek anëtarët dhe mbështetësit e saj për tu regjistruar në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. 

 Në bazë të Kodit Zgjedhor, që një parti të garojë në zgjedhje duhet të ketë ose një deputet ose të mbledhë 5 mijë firma; dhe pas djegies së mandateve kjo është e vetmja rrugë që legjitimon PD-në të marrë pjesë në garën e 25 prillit. 

Ky që po shihni është formulari që Partia Demokratike ka shpërndarë në disa degë për të marrë firmën e anëtarësisë.

Kjo është e vetmja kosto që PD ka marrë pas djegies së mandateve në raport me zgjedhjet parlamentare, pasi ligji zgjedhor e njeh Partinë Demokratike si forcë parlamentare në rastin e ngritjes së KQZ-së dhe për të gjithë zinxhirin e administrimit të zgjedhjeve, po ashtu për fondet që partitë politike marrin nga buxheti i shtetit.  

Nuk është vetëm Partia Demorkatike që po mbledh firma, por edhe aleatja e saj, LSI.

Ish-deputeti socialist, Gjetan Gjetani, ka deklaruar se është deputet i LSI-së e në këto kushte nuk do ti nevojiteshin firmat, por ky formacion politik e ka nisur procesin për të treguar simbolikisht se nuk e njeh këtë parlament.

Të hënën deputetët kanë nisur procesin e vetëdeklarimit se cilës parti i përkasin.  

Korab Lita është regjistruar si deputet i Partisë Demokratike, Myslym Murrizi si deputet i partisë së tij të re, Lëvizja Demokratike Shqiptare, Rudina Hajdari si deputete e Nismës Thurje dhe Andi Përmeti si deputet i Bindjes Demokratike.  

Këto deklarime i shpëtojnë partitë e reja nga detyrimi për të paraqitur në KQZ 5 mijë firma, duke e bërë më të thjeshtë procesin e regjistrimit të tyre në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.