Çarja e rrugëve, Rama në mbrojtje të Salillarit: Gjueti shtrigash, askush nuk është ëngjëll
Kryeministri Edi Rama është pyetur në lidhje me çarjet e akseve rrugore në ditët e fundit për shkak të reshjeve të dendura të shiut, ku disa prej tyre ishin projekte në dorë të kompanisë “Salillari”.
Rama ka thënë se për këto akuza fillimisht duhet bërë një hetim, ndërkohë që sulmin e cilëson si gjueti shtrigash. Ai ka kërkuar që të mos veprohet kështu me kompani që kanë punësuar shumë njerëz.
Edi Rama: Unë e konsideroj të pa përshtatshme që të sulmohen kompanitë në mungesë të analizës, sepse mund të jetë një rrugë e bërë edhe sot dhe për arsye që nuk lidhen fare me punimet e kompanisë por në kushtet e një lëvizje gjeologjike që mund të jetë pika që derdh kubën po themi nga erozioni në një zonë të caktuar mund të ketë çarje, ashtu si kundër mund te jetë kompania shkaktare.
Kjo kërkon analizë të çosh kamerën në një rrugë të çarë dhe t'ja kërcasësh kompanisë me shkop kokës mban më shumë era gjobë se sa era gazetari. Sugjerimi im është thjesht modestish, mos bëni gjueti shtrigash me kompanitë, me njerëzit që punësojnë mijëra njerëz, me njerëzit që kontribuojnë. Askush nuk është engjëll dhe askush nuk është i përjashtuar nga e drejta për të dyshuar dhe vlerësuar deri në fund veprimtarinë kur ka një problem, por është fatkeqësi e madhe që me thënë të drejtën nuk e kam parë në vende të tjera që këtu suksesi kthehet në mallkim.
Suksesi i këtyre njerëzve që kanë ngritur kompani dhe iu japin punë dhjetëra, mijëra familje është bërë mallkimi i tyre në pune goditen nga mëngjesi në darkë siç goditeshin kulakët mbas viteve të çlirimit është fatkeqësi rasti konkret mund të jetë përgjegjësi e kompanisë, por edhe mund të mos jetë përgjegjësi e kompanisë prandaj duhet hetuar ka një hetim që po kryhet ne dijeninë time nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Bëni hetim pastaj hajdeni këtu dhe bëni pyetje dhe numëroni lekët kompanive se i numëroni gjithmonë mbrapsht çuditërisht gjithmonë 7 x 7 =42 kur vjen puna te shifrat edhe kjo 7 x 7= 42 i analistëve,opinionistëve, gazetarëve është pa dallim partie është transversal, është fatkeqësi e madhe kjo, helm për publikun dhe goditje për të vërtetën. Mos harroni asnjëherë gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha dhe prandaj ne jetojmë në një mjedis ku nga mëngjesi deri në darkë mbytemi nga gënjeshtrat më të mëdha sepse janë gjysma të vërteta