Përmbytjet, Rama në konferencë: Ndërtimi i Skavicës mbyll kapitullin e frikës nga shkarkimet

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë për pasqyrimin e situatës së përmbytjeve të ditëve të fundit në vend.

Rama ka thënë se situata ka qenë mjaft kritike për të gjitha zonat e përmbytura, por sipas tij ka nuk ka krahasim me përmbytjet e shkuara.

“Situata ka qenë kritike nga liqeni i Shkodrës deri në Vjosë. Përballimi i saj ka qenë vërtetë për të marrë frymë të lehtësuar, por edhe për të nxjerrë mësime të reja, sidomos në aspektin e koordinimit të të gjitha forcave. E keqja harrohet shpejt dhe e mira s’ka fund, por është e pakrahasueshme situata e përmbytjeve e atyre momenteve kur ka pasur reshje të dendura në të shkuarën dhe situata sot. Janë të pakrahasueshme shifrat, faktet dhe kjo lidhet me punën e bërë. Sepse çfarë vjen nga lart nuk e kemi në dorë. Por sa arrijmë ne poshtë të menaxhojmë atë që na vjen nga lart e kemi në dorë”, ka thënë Rama.

Kryeministri Rama ka thënë se zgjidhja e këtij problemi përfundimisht do të jetë ndërtimi i Skavicës, e cila do të kthejë në energji elektrike çdo pikë uji pa pasur nevojën e shkarkimit.

“Ngarkesa e kaskadës së Drinit lidhet edhe me një mungesë objektive që kur kaskada është ndërtuar. Mungesa e Skavicës. Ndërtimi i Skavicës që e kemi futur në proces dhe do të jetë realitet në mandatin e ardhshëm, si proces bashkëpunimi me SHBA, do të mbyllë kapitullin e frikës nga shkarkimet. Derisa të jetë Skavica që është rezervuari ujëmbledhës dhe balancuesi i kaskadës për të mos lejuar që asnjë pikë uji të shkarkohet, por të kthehet në energji, sfida e menaxhimit është parësore.

Në e kemi fituar sfidën e menaxhimit falë ndjekjes me përpikëri të procedurave, por edhe falë vëmendjes së ministres së Infrastrukturës, por edhe falë profesionalizimit të drejtorit të KESH-it Benet Beci.”