Sot vaksinohen punonjësit e spitalit Covid 1

Në pesë ditë të fushatës së vaksinimit janë kryer rreth 270 vaksinime për stafin mjekësor të spitaleve Covid dhe epidemiologët.

Deri tani ka përfunduar procesi i vaksinimit të epidemiologëve në qarkun e Tiranës, dhe po vijohet edhe me stafet mbështetëse të mjekëve që po trajtojnë të prekurit me Covid.

"Sot vijnë do paraqiten përsëri personel shëndetësor dhe staf mbështetës i spitaleve Covid 1,2,3,4 dhe urgjenca dhe reanimacioni deri ditën e djeshme janë vaksinuar 266 personel shëndetësor dhe staf mbështetës.”

Deri tani, shpjegon ekspertja e vaksinimit Iria Preza,  te asnjë prej të vaksinuarve nuk janë  shfaqur  efekte anësore, përveç shenjave të pranueshme pas çdo vaksinimi.

"Jo te të gjithë por janë gjëra siç them i rasteve kur kemi një skuqje te vogël apo dhimbje të lehtë te krahu por asgjë për t’u shqetësuar.”

Por, shton ajo, nuk kanë munguar as rastet kur është anuluar vaksinimi pasi vajza që priste të vaksinohej, mësoi se ishte shtatzënë.

“Ne e kemi thëne që kjo vaksinë nuk rekomandohet te gratë shtatzënë dhe na kanë ndodhur faktikisht që kemi pasur personel shëndetësor që kanë zbuluar që ishin shtatzëne dhe për këtë arsye nuk e kanë kryer vaksinimin sepse dua ta theksoi ne po mundohemi që të kryejmë procesin e vaksinimit ndaj Covidit, por gjithmonë duke ruajtur sigurinë dhe duke shërbyer sipas udhëzimeve përkatëse këtë vaksinë.”

Shumë shpejt pritet që të hapen edhe dy qendrat e tjera të vaksinimit në Shkodër dhe në Vlorë, ndërsa sipas ekspertëve procesi nuk po zhvillohet ngadalë por me kujdes të veçantë.