'Fusha shpk" fiton tenderin për përmirësimin e qytetit të Përmetit
Kompanisë "Fusha" i besohet një tjetër projekt i rëndësishëm në vend edhe pse në tender rezolton se kishte ofertën më të lartë.
Kjo procedurë e zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka për qëllim Përmirësimin e Integruar Urban të qytetit të Përmetit.
Në faqen e autoritetit kontraktues bëhet e ditur se për këtë kontratë kanë shfaqur interes 5 operatorë ekonomikë, 4 prej të cilëve u është refuzuar oferta.
Në dokument thuhet se është përzgjedhur fitues Fusha Sh.p.k me ofertën prej 398.5 milionë lekë.
Ndërkohë që vlera më e lartë e paraqitur nga subjektet e skualifikuara ishte 368 milionë dhe më e ulëta arrinte deri në 283.7 milionë lekë.
Megjithatë në dokumenta nuk ka asnjë të dhënë për mënyrën e përzgjedhjes së fituesit, apo nëse subjektet e tjera janë skualifikuar apo tërhequr.
Procedura, sipas njoftimit zyrtar, është ndjekur sipas rregullave të tenderimit ndërkombëtar, ndërkohë që pjesëmarrës rezultojnë vetëm kompani shqiptare.
Tenderi është hapur në nëntor të vitit të kaluar dhe që në atë moment është njoftuar se ka të aplikuar parimin e konfidencialitetit.
Fondi ka kërkuar nga operatorët e interesuar pagesën e një tarife prej 15 mijë lekësh të reja për t’u njohur me dokumentat standarte .
Kontrata është parashikuar me një kohëzgjatje prej 12 muajsh dhe investimet do të përfshijnë rehabilitimin e hapësirave publike, rrugëve, përmirësimin e zonave turistike etj.