Përmbytjet, Kote: Argjinaturat përballuan me sukses prurjet e lumenjve
Zv/ministri i Bujqësisë Dhimo Kote për Ora News ka treguar se situata e përmbytjeve ka nisur të përmirësohet në të gjitha zonat e prekura nga reshjet e dendura.
Kote ka thënë se përmbytje më të mëdha janë shmangur sepse është ndërhyrë në argjinaturën e lumenjve më parë.
“Në mbrojtjet lumore, po të marr lumin Vjosë që përsa i përket problemit në Selenicë, më përpara do të kishim dalje të ujit që do të kishte krijuar përmbytje nëse s’do kishim krijuar argjinaturat. U bë një kolaudim i këtyre investimeve që bëmë, dhe unë kam shkuar vetë në vend për t’i kontrolluar. Mund të kishte cedime të vogla sepse kishte një tërmet dhe një provë, por që përfundimisht ata e përballuan me sukses dhe argjinaturat që u bënë në Fier, ndihmuan që lumi të mos futej në parcelat ku kishin mbjellë luleshtrydhe. Dëmtimet e vogla me këto reshje të mëdha janë normale. Edhe në Greqi kishim një situatë të tillë”, ka thënë Kote.