BOOM: I ndërpritet pagesa e KEMP-it, Shërbimi Social Shtetëror tregon pse nuk është mbledhur komisioni
Emisioni Boom udhëtoi drejt njësisë administrative Perondi, Kuçovë.
Astrit Kapidani ankohet për KEMP-in e vajzës së tij, Naxhie Kapidani.
Sipas babait në nëntor iu pre pagesa e KEMPit dhe pagesa e shoqërueses që përfiton.
Të dy prindërit e të sëmurës, e paralizuar prej gati 30 vite, thonë se tashmë kanë marr një punonjëse që duhet t'i shërbejë, se vetë janë të sëmurë.
Ata thonë se punonjësja duhet paguar dhe jetojnë vetëm me pensione, e kërkojnë ndihmën e emisionit Boom për zgjidhjen e problemit.
Mes lotësh babai, i lodhur prej vitesh nga fati i të bijës bën apel për ndihmë.
Prindërit: Vajza ka qysh nga viti '85 kështu. Marrin punonjësen. Unë 200 mijë lekë marr në muaj. Nuk kemi të ardhura. Kemi marrë borxhet për ta paguar punonjësen. Unë bëj apel përmes Boom që KEMP-i në Tiranë t'i jepet nëse i takon.
Boom shkoi e pyeti në njësinë administrative Perondi.
Punonjësja e Ndihmës Sociale sqaroi se ajo thjeshtë ka zbatuar urdhrin, pasi duhet të ndërpriste pagesat për zonjën Kapidani dhe disa persona të tjerë. Pasi dosja e tyre ka kaluar për shqyrtim në KMCAP epror.
Boom u interesua pranë Shërbimit Social Shtetëror se çfarë kishte ndodhur me rastin e zonjës Kapidani, dhe se kur do të shqyrtohej rasti saj? Pse ka pasur vonesë në zgjidhjen e problemit?
Në përgjigjen e kthyer SHSSH sqaroi se: Znj. Kapidani është vlerësuar në komisionin e KMCAP-it të nivelit të parë, prej ku dosja e saj është vlerësuar me divergjencë. Divergjenca nënkupton se rasti i qytetares do të shqyrtohet në KMCAP-in Epror. KMCAP- i Epror mblidhet 1 – 2 herë në muaj, por për arsye objektive nuk është mbledhur.
Njëri nga mjekët e komisionit ka humbur jetën, ndërsa një tjetër mjek ka qenë i infektuar me virusin Covid-19, për këtë arsye nuk është mundur të mblidhet komisioni i vlerësimit i KMCAP EPROR.
Në përgjigjen e kthyer SHSSH sqaroi se: Në mbledhjen e parë të komisionit të KMCAP-it Epror, pas zëvendësimit të kolegut tonë të ndjerë, znj. Kapidani do të thirret për t’u komisionar. Në rast se KMCAP-i Epror do ta vlerësojë si përfituese do t’i lidhen afatet që prej periudhës kur i është ndërprerë pagesa.