Testi i pasurisë ngel 2/3 e ministrave të kabinetit “Rama”, Bozdo: ILDKPKI duhet shkrirë

BIRN ka bërë publike një investigim sipas të cilit rezulton se 2/3 e kabinetit të kryeministrit Ram nuk justifikojnë dot pasurinë dhe pasuria e tyre është trefishuar gjatë kohës që kanë qenë në detyrë.

Truku më i rëndomtë ka qenë shitblerja e makinave, të cilat i blejnë me një x çmim dhe i shesin 2-3 fishin e saj pas një kohe të shkurtër përdorimi.

Ish-zëvendësministri, Eno Bozdo, thotë se në botën demokratike kjo do të kishte mjaftuar për dorëheqje, por ai ndalet te vendet fqinje duke referuar se çfarë do të kishte ndodhur atje në një situatë të ngjashme.

Bozdo: Nëse kjo do të kishte ndodhur në Kosovë apo Maqedoni, minimalisht një debat publik do të kishte ndodhur për këtë gjë dhe ministrat do të ishin vënë në dispozicion të hetimit.

Institucioni kyç që merret me verifikimin e pasurisë së funksionarëve publikë, ILDKPKI, duket se është në "gjumë".

Bozdo për Rtv Ora thotë se ai duhet shkrirë dhe bërë nga e para.

Bozdo: Ky institucion duhet shkrirë dhe bërë nga e para. Nëse kemi një institucion dhe presim nga media të ngrejë flamurin e kuq për ministra e deputetë, jemi në mëshirë të fatit. Simptoma e madhe e kësaj qeverie përveç mungesës së transparencës, ka qenë kapja e çdo lloj institucioni që mund të ngrinte jo një por disa flamuj të kuq.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se 18 nga 27 anëtarët e kabinetit të kryeministrit Edi Rama nga viti 2013 deri në vitin 2018, kanë probleme me justifikimin e pasurisë në të paktën një vit të karrierës së tyre si shërbyes publikë.

Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana