Kush është “Tan Gjemi”, ish-zyrtari e kandidati për deputet që bënte biznes me Klemend Çalën

Dritan Ekmeçiu, një ish-zyrtar dhe ish-kandidat për deputet në qarkun e Elbasanit, rezulton i përfshirë në marëdhënie tregtare me Klemend Çalën, personin e arrestuar nga prokuroria si njeriu që grabiti sasinë e eurove nga aeroporti i Rinasit.

Ekmeçiu, njihet ndryshe në Elbasan si “Tan Gjemi” dhe ka mbajtur funksione zyrtarë si kryeinspektor në bashkinë e Elbasanit dhe disa vite më parë ka garuar për deputet në qarkun e Elbasanit, për një parti të vogël.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se ish-zyrtari Dritan Ekmeçiu, ka bashkëpunuar me Klemend Çalën dhe babain e këtij të fundit, Pëllumb Çala, duke lidhur kontrata qiraja me dy personat në fjalë, kontrata të cilat gjatë periudhës kur ka qenë Kryeinspektor nuk i ka deklaruar pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë.

“Njëherësh, “Tan Gjemi” ka patur marëdhënie tregtare të pa dokumentuar me këta individë”-thotë prokuroria.

Sot ish-zyrtari, Dritan Ekmeçiu, sipas burimeve të policisë së Elbasanit, është i zhytur në borxhe financiare.

Momentalisht Dritan Ekmeçiu, vijon të jetë person nën hetim nga prokuroria e Elbasanit, për akuzën e “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Falsifikimit të dokumentave shkollore”, çështje e cila pritet që të shkojë në gjykatë me të pandehur ish-zyrtarin Ekmeçiun.