Shefja e Infektivit dhe Rama, të parët që marrin vaksinën anti-Covid në Shqipëri
Pas 10 muajsh nga nisja e pandemisë është ky momenti që ka shënuar nisjen e vaksinimit në Shqipëri. Fushata nisi të hënën dhe e para që e mori atë ishte doktoreshë Najada Çomo.
Për të shuar çdo dyshim mbi sigurinë dhe efektshmërinë vaksinën e bëri edhe Kryeministri Edi Rama.
“Unë do ta bëj vetëm për të dhënë mesazhin e qartë që vaksina jo vetëm është e sigurtë por vaksina është arma asgjësuese e këtij armiku të padukshëm.
Nuk do dëshiroja ti zija radhën askujt nga ata që duhet ta bëjnë më parë por do ta bëj sot vetëm për këtë arsye. Vaksina nuk është e detyrueshme, askush nuk është i detyrueshëm ta bëjë me pahir por është e këshillueshme“, do të shprehej paraditen e sotme kryeministri Edi Rama.
Procesi vijoi me mjekët e njohur të spitalit Covid 1, Pëllumb Pipero dhe Tritan Kalo.
Lexo edhe:
Rama i vetmi nga kabineti qeveritar që do vaksinohet sot, ndërsa ministrat …..
Më herët mjekët thanë se vaksina është e vetmja mënyrë për t`i ndërprerë hovin pandemisë shkaktuar nga koronavirusi.
Të hënën Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja Ogerta Manastirliu dhanë detaje mbi fushatën e vaksinimi.
Kryeministri tha se fushata nis me 975 doza, por pavarësisht këmbënguljes së gazetarëve ai nuk tregoi vendin se nga i kishte siguruar ato.
Vaksina do të jetë falas, jo e detyrueshme dhe për ata që nuk e bëjnë nuk do të ketë penalizime.
Ministrja e Shëndetësisë tha se prioritet do të jenë edhe të moshuarit mbi 70 vjeç.
Në vijim pritet që në Shqipëri të mbërrijnë edhe 10 mijë doza që janë siguruar nga kompania Pfizer.
Vaksinimi do të kryhet në stadiumin "Air Albania", ambientet e të cilit janë përshtatur për të kryer këtë proces.
Por në Facebook ka reaguar dhe ish-kryeministri Berisha, i cili akuzon për mungesë të transparencës.
Nga nisja e pandemisë, Shqipëria regjistron 63,595 të infektuar dhe 1241 viktima.

