"Në darkën e Dubait shitej Shqipëria" Vasili publikon dokumentet: SPAK të hetojë marrëveshjen korruptive
Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili në një deklaratë për mediat ka dënuar ashpër videon virale të darkës në Dubai të figurave të njohura drejtuese të qeverisë.
Vasili ka thënë se darka e Dubait ishte festa e blerjes së Portit të Durrësit duke mos njohur ligjet e shtetit shqiptar.
“Dhe konkretisht në tavolinën e darkës ka edhe një menu tjetër. Kjo është edhe menuja e vërtetë, që të dini se çfarë shqyen në atë darkë. Në atë darkë ishin 3 projekte, pikërisht pjesë e kësaj marrëveshjeje: rizhvillimi i Portit të Durrësit, mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, bujqësisë dhe logjistikës së Vlorës, Sarandës, Ksamilit dhe e treta investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit. Pra të gjithë këto zona me një potencial të jashtëzakonshëm turisti, me mundësi të jashtëzakonshme, që nëpërmjet garës së hapur, konkurrimit të ndershëm, themelit të një shoqërie demokratike, por që bën biznes të ndershëm, janë tashmë objekt ndarjeje e shitjeje, pa asnjë konkurrim e asgjë, dhurata reciproke që Shqipëria i bën kujt i intereson”, ka thënë nënkryetari i LSI.
Ai ka vijuar më tej duke kërkuar nga SPAK që të nisin hetimet menjëherë në lidhje me këtë çështje që është alert.
“SPAK sot duhet të jetë në alert më shumë se kurrë. Asnjë deklaratë mbështetjeje për SPAK, në shqip apo në anglisht nuk ka asnjë vlerë në rast se ai nuk lëviz, nuk aktivizohet dhe nuk ngrihet në këmbë për të goditur këto paligjshmëri të cilat ulërasin e të cilat kërkojnë përgjigje. Po shqyhet Shqipëria, prona e saj publike, interesat e saj ditën për diell. SPAK ose vepron sot ose nesër do të jetë patjetër në bankë e të akuzuarit, së bashku me të gjithë këta që kanë kryer akte shumë të rënda dhe të cilat më e pakta do të ishte që të ishin përpara drejtësisë dhe mbrapa hekurave.
Dokumentacioni nuk është as sekret, as i fshehtë, është në duart tuaja. I gjithë dokumentacioni që unë iu referova është publik. SPAK vepro tani! Shqiptarët do të vazhdojnë të jenë të vëmendshëm, opozita do të vazhdojë të jetë e vëmendshme, nuk do të falë, së bashku me mundësinë e jashtëzakonshme që më 25 prill të rikthejë interesat e Shqipërisë në duart e shqiptarëve, në duart e transparencës, në duart e biznesit, ngado që ai të shfaqet, në Europë, Amerikë e gjetkë, dhe asnjëherë në duart e shitjes nën dorë midis një qeverie dhe një të interesuari, për të ngrënë e shqyer darkën e radhës. Ju faleminderit të gjithëve!”



