Shkodër: Apeli lë në burg burrin që qëlloi me armë babë e bir pas sherrit në parkim
Gjykata e Apelit Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “arrestit në burg” për Mhill Pëllumbaj, personin i cili qëlloi me armë në drejtim të mikut të kryebashkiakes Voltana Ademi, Mark Molla dhe djalit të tij Kristjan Molla.
Vendimi është dhënë ditën e sotme në Shkodër.
Konflikti ka lindur për parkim makine mes djalit të Drejtorit të Ujësjellësit Shkodër, Kristjan Molla dhe Mhill Pëllumbaj.
Sherri ka sjellë përdorimin e armëve mes dy personave, ngjarja e ndodhur në muajin korrik 2020.
Sot gjykata e Apelit Shkodër, ka vendosur të caktojë masën e sigurisë “arrest në burg”, për Pëllumbaj, i cili akuzohet nga prokuroria e këtij qyteti për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” mbetur në tentativë.
Kjo pasi Pëllumbaj, ka qëlluar me armë në drejtim të babë e bir, duke plagosur me pistoletë në këmbë, shtetasin Kristjan Molla.
Ky i fundit gjatë dhënies së dëshmisë, ka treguar se ishte konfliktuar me Mhill Pëllumbaj, pasi ai i kishte zënë parkimin dhe s’mund të dilte me makinë për ta çuar bashkëshorten shtatzënë në spital.
Më pas Pëllumbaj, ka qëlluar fillimisht Kristjanin dhe më pas babain e tij, Mark Molla.
(Foto: Ilustruese)