Donte të kryente vrasje në Kosovë, gjeti strehë në Tiranë
Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 40-vjeçar të shpallur në kërkim për tentativë vrasje në Kosovë. Gazmend Muajaj pas ngjarjes është arratisur dhe u strehua në një banesë me qira në rrugën "Jordan Misja" në Tiranë. Pas përfundimit të procedurave, 40-vjeçari do të ekstradohet në Kosovë.
Një 40 vjeçar i konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore është arrestuar këtë të hënë në kryeqytet pasi ndodhej në kërkim ndërkombëtar.
Gazmend Mujaj nga Kosova është ndaluar pasi është shpallur në kërkim nga autoritetet ligj-zbatuese kosovare për vrasje të mbetur në tentativë.
Ky shtetas dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin S. M. dhe pas tentativës është larguar ilegalisht nga territori i Kosovës.
Autoritetet ligjzbatuese kosovare e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar Mujajn, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas arratisjes nga Kosova, 40-vjeçari është strehuar në Tiranë në një banesë të cilën e kishte marrë me qira në rrugën “Jordan Misja”.
Ndalimi i Muajajt u bë i mundur në kuadër të operacionit policor të koduar “Lokalizimi”, i zhvilluar nga Fast Albania, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Interpol Tirana.
Kjo e fundit në bashkëpunim me autoritetet kosovare po kryejnë procedurat për ekstradimin e 40-vjeçarit për tu përballur me drejtësinë.