Spitali i Fierit nga Turqia, Rama: Marrëdhënia ime me Erdogan nuk është merr jep

Në konferencën për nisjen e vaksinës anticovid, kryeministri Edi Rama është ndalur edhe te ndërtimi i spitalit rajonal të Fierit, i cili është premtuar se do të ndërtohet nga Turqia.

I pyetur nëse presidenti turk Erdogan ka kërkuar diçka në këmbim të gjithë këtyre ndërtimeve që po kryen në Shqipëri, Rama ka thënë se ai dhe lideri turk nuk kanë një marrëdhënie merr jep.

Ai e ka përshkuar marrëdhënien e tyre si reciproke.

Presidenti Erdogan do ndërtojë 522 banesa në Laç, ndërkohë edhe një spital në Fier. A ju ka kërkuar diçka për këtë bujari dhe për këto dhurata?

Rama: Marrëdhënia ime me presidentin Erdogan nuk është marrëdhënia më jep, të jap, por reciproke respekti dhe në raste të caktuara miqësie.

Në marrëdhëniet me homologët e mi apo me partnerët tanë, unë jam i barabartë dhe kërkoj nga secili dhe kam marrë këtë barazi.

Pse Presidenti Erdogan e bën këtë është shumë e qartë , është pjesë e  një partneriteti dhe e një miqësie tradicionale mes dy vendeve dhe natyrisht e marrëdhënies që ne kemi, unë dhe ai. Të gjitha këto bashkë ndikojnë, por  thelbi është që është një marrëdhënie miqësie dhe partneriteti dhe këto janë vetëm një pjesë e gjërave që kemi rënë dakord.

Siç është një lajm shumë i mirë ndërtimi i spitalit, ne e kemi premtuar spitalin e Fierit, kemi bërë shumë përpjekje për atë, por asnjëherë nuk na ka dalë llogaria për shkak se bëhet fjalë për një spital që kërkonte një financim të konsiderueshëm dhe në kushtet kur ne kemi pasur elementë të tjerë të sistemit shëndetësor për të financuar .