"Me rëndësi të evitojmë përmbytjen e Shkodrës" Peleshi shkon në Obot: Do kemi shtim të reshjeve

Ministri I Mbrojtjes, Niko Peleshi monitoroi nga afër situatën e shkaktuar nga përmbytjet në Kallmet të Lezhës dhe më pas në Obot të nënShkodrës.

Ndërkohë që reshjet pritet të shtohen nesër e pasnesër, Ministri tha se do të bëjnë të pamundurën për të evituar përmbytjen në Shkodër e në fushën e Bushatit.

Niko Peleshi: "Kam marrë një informacion që këtu në Obot, pra ana e malit, njësia administrative e anës së malit, sa i përket sipërfaqes nuk kemi tërheqje të ujërave sepse e tillë është natyra. Ju e dini jemi në një sipërfaqe nën nivel, por është pozitive që kemi një ulje të lehtë të nivelit disa centimetra dhe era që po fryn po e përshpejton çuarjen e ujërave drejt detit.

Kemi gjithashtu një pozitivitet tjetër përsa i përket reshjeve, siç e shikoni nuk ka reshje në të gjithë vendin. Kjo ka bërë që në situatën në Lezhë siç e komunikuam dhe më parë të jetë shumë e përmirësuar, por këtu do të shkojë disi më ngadalë drejt përmirësimit.

E rëndësishme është që të mos kemi përmbytje në Shkodër, në fushën e Bushatit dhe gjasat janë që do të arrijmë ta evitojmë për shkak se pavarësisht se reshjet do të shtohen sot pasdite, nesër dhe sidomos pasnesër në datën 11.

Peleshi nënvizoi se po bëhet një menaxhim shumë i mirë i kaskadës.

Niko Peleshi: "Sot kam komunikuar edhe me drejtorin e KESH-it dhe me Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë kemi pasur një komunikim intensiv, po menaxhohet mirë kaskada."