Pas Erdoganit te Mitsotakis, Rama në Greqi për vaksinat, në Athinë diskutohet deti

Pas Turqisë, kryeministri Edi Rama ka gjetur dakordësinë për të zhvilluar si marrëdhënie strategjike edhe atë me Greqinë.

Pas takimit me homologun helen, Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e Jashtëm Nikos Dendias, Rama e përmblodhi me një status në twitter gjithçka kishte biseduar.

Rama: Falenderues për shijen e shkëlqyer të mikpritjes në shtëpinë e kryeministrit Mitsotakis, ku bëmë një bilanc të situatës me Covidin, marrëdhënies mes dy vendeve tona dhe problematikave rajonale! Vullnet i plotë për ta zhvilluar bashkarisht më tej këtë marrëdhënie strategjike.

Në pak informacion, Kryeministri shqiptar nuk ka bërë të qartë nëse është folur për çështjen e kufirit detar, por pikërisht këtë të premte qeveria greke ka njoftuar dërgimin në parlament të projektligjit për “përcaktimin e gjerësisë së zonës bregdetare në zonën detare në Jon deri në Kepin Tainaro të Peloponezit“.

Projekti pritet të votohet më  19 janar 2021, sipas medias greke.

Dreka e punës me kryeministrin Mitsotakis pason takimin me ministrin e Jashtëm Nikos Dendias, ku temë e takimit ka qenë marrëdhënia dypalëshe dhe gjendja rajonale si dhe emergjenca shëndetësore e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Që prej fillimit të vizitës së kryeministri Rama në Ankara, mediat greke kanë sjellë në kujtesë deklaratat publike të kryeministrit shqiptar në lidhje me drejtimin e palëve në Gjykatën e Hagës dhe të drejtën e Greqisë për t’u zgjeruar me 12 milje.

Këtu mediat greke përmendin edhe arritjen e marrëveshjeve dypalëshe me Italinë dhe Egjiptin, që sipas tyre janë të bazuara mbi Konventën për Ligjin e Detit.

Burimet mediatike greke bëjnë me dije se Greqia është ofruar të ndihmojë Shqipërinë edhe me një sasi vaksinash.

LEXO EDHE

TV ERT: Nuk ka veprim për çështjen e detit para zgjedhjeve të prillit