Mjekësia shtyn provimet, studenti: Mësimi online na ka kushtëzuar njohuritë

Studentët do të mësojnë përsëri online, kjo formë ka pasur një ndikim të konsiderueshëm sidomos të vitet e para.

Arjon Kuçuku është në vit të parë  për Mjekësi të Përgjithshme, ai thotë se në këto kushte mësimore nuk ka mundur të përfitojë as gjysmën e njohurive të shpjeguara deri tani.

Arjon Kuçuku: Të jesh student online do të thotë që të përthithësh vetëm pak përqind nga ajo çfarë mund të përthithje në auditore. Nëse do të vazhdojë e njëjta situatë do të thotë që ne do të dalim të paaftë. Pra nëse në mësojmë sesi të bëjmë operacione online do të jetë e pamundur të masim dhe tensionin, në kushte të zakonshme

Në këto kushte  universiteti i Mjekësisë ka vendosur  të shtyjë sezonin e provimeve të dimrit në përfundim të vitit akademik, ose në momentin e parë që Shqipëria do t’i kthehet normalitetit.

Sipas rektoratit të këtij universiteti kjo bëhet pasi studentët nuk janë dakord që provimet të kryhen online, ndërkohë që kthimi në auditore aktualisht është i pamundur.

Arjon Kuçuku:  Por kjo sipas të riut, do të jetë më e vështirë për ta.  Sezoni i provimeve, të paktën për Universitetin e Mjekësisë është shtyrë për sezonin e dytë të provimeve, sezonin e verës. Pra sezoni i dimrit dhe sezoni i verës do të zhvillohen së bashku. Sigurisht që nuk është efikase.

Përveç kostove të shtuara për familjet e studentëve, ajo që vijon të mbetet shqetësuese është fakti se platforma online nuk mund të pranojë më shumë se 100 persona, por në grupin e Arjon Kuçukut ka më shumë studentë se ky limit.

Arjon Kuçuku: Shpeshherë ndodh që interneti të shkëputet, ose ndodh që të plotësohet numri që mund të mbajë platforma gjatë një leksioni që është rreth 100 veta dhe ne jemi 160 veta që janë kuotat e mjekësisë

Megjithëse  kanë kaluar 3 muaj nga fillimi i vitit të ri akademik  studentët e viteve të para nuk  njihen as me shokët  e klasës dhe  as me pedagogët.