Tragjedia e 9 janarit ende pa autor, SPAK kthen në gjykatë dosjen

Dosja e tragjedisë së 9 janarit është kthyer sërish në Gjykatën e Vlorës pasi Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion ka refuzuar ta marrë në shqyrtim.

Vendimi i  Prokurorisë së Posaçme vjen një ditë para përkujtimit të 17 vjetorit të tragjedisë, ndërkohë që familjarët e viktimave thonë se SPAK ishte e vetmja shpresë për të zbardhur të vërtetën pasi janë zhgënjyer nga çdo hallkë e organeve të drejtësisë.

Familjarët por dhe drejtuesit e shoqatës “9 janari” apelojnë si në çdo përvjetor të zbardhet skema e plotë që solli humbjen e fëmijëve dhe të afërmve të tyre në ujërat e Otrantos.

Tragjedia e 9 Janarit ndodhi në vitin 2004, kur gomonia me 36 klandestinë u nis në det të trazuar 5-6 ballë në drejtim të Italisë nga gjiri i Palasës. Si pasojë e mbytjes së mjetit lundrues 28 persona humben jetën ku viktimat ishin kryesisht nga zona e Shkodrës dhe te moshës nga 15 ne 33 vjeç.