Kryemadhi e nis ditën me takime në Njësinë 9: Zgjedhjet e 25 prillit referendum popullor
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ka nisur ditën me një takim me banorët e njësisë 9 në Tiranë. Kryemadhi foli për zgjedhjet e 25 prillit duke u shprehur se çdo qytetar duhet të shkojë për të votuar në këto zgjedhje që do të jenë një referendum popullor.
Kryemadhi: Qytetarët në 25 prill duhet të shkojnë të votojnë në kutinë e votimit. Ne duhet të informojë qytetarët për tu pajisur me kartë identiteti. Ne duhet të verifikojmë të gjithë njerëzit, sepse gjendja civile mund të të ketë çuar nga Tirana në Kolonjë apo Sarandë. 25 prilli do të jetë një referendum mbarëpopulllor.
Kryemadhi u ndal te situata në vend duke hedhur akuza ndaj Kryeministrit Rama
Kryemadhi: Njerëzit ndihen të pa përkrahur, të pambrojtur, nuk kanë mundësinë e krijimit të biznesit, të hapjes së një vendi pune ose plotësimit të kërkesave kryesore familjare për familjet e tyre. Rama ka shkatërruar administratën publike, ka rrënuar figurën e ekonomistit, juristit dhe mjekëve. Në 3 vjet kanë ikur infermierë pa fund dhe nëse vazhdohet kështu për disa vite do kemi mungesë të infermierëve. Ekonomia shqiptare ka nevojë për ndryshim rrënjësor, në ekonominë e Shqipërisë nuk është vetëm blej dhe shit siç e ka bërë Edi Rama.