"Qeveria Hoti ishte kot..." Kurti: 14 shkurti gjyq popullor

Zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, Albin Kurti, i sheh si një gjyq popullor kur qytetarët e Kosovës do të ushtrojnë demokracinë e do i japin fund politikës së keqe. Bashkimi Evropian po ashtu bën thirrje për një proces të besueshëm, transparent dhe gjithëpërfshirës.

Ish-kryeministri Albin Kurti, njëherësh kandidat për qeverinë e re, i konsideroi zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, një referendum dhe gjyq popullor.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje me anë të një postimi në rrjetet sociale, komentoi arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese se qeveria e Avdullah Hotit u votëbesua ilegalisht nga parlamenti.

"Pas shtatë muajve na u dëshmua ajo që dihej nga fillimi. Zgjedhja e qeverisë Hoti ka qenë kot. Zgjedhje e paligjshme, jokushtetuese."

Kurti nuk përmendi a do të garojë për deputet në zgjedhje, pasi gjykimi i Kushtetueses rrezikon t'ia mohojë atij mundësinë duke pasur një dënim të formës së prerë në tri vitet e fundit.

Sipas Kurtit, qytetarët kërkojnë punë e arsim, drejtësi e shëndetësi.

"Më 14 shkurt, politika e keqe ndodhet para gjyqit popullor. Kemi humbur shumë vite, jo vetëm muaj. Më 14 shkurt, festën e zemrës e bëjmë edhe kremte të demokracisë."

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, shpërndau një ditë më parë parlamentin e Kosovës, duke i lënë aktorëve politikë katër javë e gjysmë kohë për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Partitë kryesore thonë se do të synojnë ta fitojnë të vetme garën elektorale, dhe pas zgjedhjeve, do i japin shanse aleancave me subjektet rivale.