Kosova siguron 500 mijë vaksina anti-COVID
Edhe Kosova ka mundur që të sigurojë 500 mijë doza vaksinash antiCovid nga kompania amerikane Pfeizer. Lajmin e ka njoftuar në rrjetin e tij social, ministri i Shëndetësisë Zemaj. Ministri nuk ka njoftuar një datë se kur do të fillojë shpërndarja, por shkroi se vaksina do t’u jepet falas qytetarëve.
Kosova ka siguruar 500,000 vaksina kundër Koronavirusit nga kompania farmaceutike Pfizer, njoftoi ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj.
Në postimin e tij në Facebook, Zemaj tha se konfirmimi erdhi të martën nga përfaqësuesit e kompanisë amerikane Pfizer.
Ministri nuk ka njoftuar një datë se kur do të fillojë shpërndarja, por shkroi se Vaksina kundër COVID-19-ës do t’u jepet falas qytetarëve.
Më herët, për mediet vendase, Zemaj ka thënë se kontingjent i parë i vaksinave anti-Covid mund të vijë në Kosovë gjatë muajit shkurt.
“Krahas kësaj, Kosova do të marrë nga mekanizimi COVAX edhe 360,000 vaksina falas për 20 për qind të popullatës”, shkroi ministri Zemaj në faqen e tij sociale.
COVAX është një iniciativë e udhëhequr nga Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që synon shpërndarjen e vaksinës kundër COVID-19-ës edhe në vende më të varfra.
Nisma COVAX synon të blejë dy miliardë doza të të gjitha vaksinave potenciale kundër COVID-19 prej kompanive të ndryshme farmaceutike deri në fund të vitit 2021 dhe t'i bëjë ato të disponueshme për të gjitha vendet në botë.
Vendet më të fuqishme të botës kanë bërë donacione të shumta për nismën COVAX, ku Bashkimi Evropian do të japë 400 milionë euro.
Kosova ka aplikuar për sigurimin e vaksinave në COVAX qysh më 7 dhjetor, po ashtu edhe Shqipëria është bërë pjesë e kësaj nisme në shtator.
Javën e kaluar, edhe kryeministri Edi Ramanjoftoi se ka siguruar 500,000 vaksina nga kompania Pfizer dhe se një pjesë të tyre do t’ia ndajë Kosovës.
Dozat e para, gjithsej 10,750, do të mbërrijnë në Shqipëri “në fillim të javës së tretë të janarit”, tha Rama, ndërsa dozat e tjera “gjatë muajit shkurt”, ku një pjesë do të shkojnë për të vaksinuar edhe mjekët që ndodhen në frontin e parë të luftës me virusin në Kosovë.
Autoritetet kosovare kanë njoftuar 7 viktima në 24 orët e fundit, si pasojë e pandemisë, ku në total 1351 qytetarë kanë humbur jetën si pasojë e Pandemisë.