Në detyrë deri në vdekje, 17 mjekë e 6 infermierë kanë humbur jetën nga Covid në Kosovë

Kosova raporton përditë raste infeksioni dhe jetë të humbura nga kovidi-19. Mes më shumë se 1.350 viktimave, që nga muaji mars numërohen edhe 23 mjekë e infermierë.

Pandemia nuk ka kursyer as bluzat e bardha, ushtarët e parë të betejës me kovidin-19, por përkundër kësaj ata i qëndrojnë besnikë betimit për të qenë në shërbim të pacientëve.

Që nga muaji mars, 17 mjekë e 6 infermierë kanë gjetur vdekjen në Kosovë, më i fundit, pediatri 52-vjeçar, Gëzim Berisha, i Spitalit të Pejës, në fillimin e dhjetorit.

“E ka pasur një ftohje të mushkërive dhe duket si pikërisht ajo ka qenë shkaktari kryesor që nuk mundi t’ia dal kësaj sëmundje për ta fituar betejën. Edhe për sistemin shëndetësor për ato 13 fshatra e kemi pasur një shpresë të madhe se ku do të drejtohemi e tash e kemi goxha vështirë pa doktor Gëzimin.”

Këtë fat rezervoi viti i kaluar edhe për Minafir Beshirin, mjek prej 40 vitesh, apo stomatologun Kujtim Macula, pavarësisht shpresave të familjeve të tyre.

 “Deri në moment të fundit personalisht por edhe të gjithë familjarët kemi menduar se do ta tejkalojë por nuk e pati fatin.”

 “Babai shëndetin e ka pasur të mirë, ka qenë aktiv, mirëpo simptomat e para kanë qenë të lehta, jo edhe shumë të rënda dhe se kemi menduar më të keqen. Nuk ka shkuar menjëherë tek mjeku, nuk e ka menduar se e ka COVID-in, por vetë fakti se si ka ardhur në ordinancë dhe ka ardhur me pacientë nuk iu kanë lajmëruar shenjat e para dhe e kemi kuptuar se e ka marrë.“

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, thotë se nga fillimi i pandemisë e deri tani rreth 1.130 mjekë kosovarë e kanë bartur një herë koronavirusin.

Vdekja e këtyre profesionistëve konsiderohet humbje jo vetëm për familjarët.

 “Kur flasim se që të gjithë pa përjashtim kanë qenë mjekë me përvojë të specialiteteve dhe profesioneve dhe ekspertiza e tyre e establuar e vërtetuar, atëherë është humbje edhe më e madhe.”

Për të nderuar kontributin e tyre në luftën me pandeminë, mjekët dhe infermierët që humbën jetën nga Covid-19 u nderuan në dhjetor me medalje mirënjohjeje nga presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani.