Gjykata Kushtetuese publikon vendimin, nga sot Kosova kalon në zgjedhje në çdo datë
Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi vendimin e plotë për zgjedhjen e jokushtetuese të qeverisë Hoti, duke i hapur tani rrugën presidentes në detyrë Vjosa Osmani të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme. Në vend ka një debat nëse kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti do të lejohet të kandidojë, pasi ai ka një dënim me kusht.
Brenda 40 ditësh Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Gjykata Kushtetuese e vendit publikoi të plotë vendimin mbi zgjedhjen jo kushtetuese të qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti dhe i hapi rrugën presidentes në detyrë Vjosa Osmani të shpallë datën.
Çështja u dërgua në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, për shkak se të votës së deputetit Etem Arifi, i cili është dënuar me vendim të formës së prerë prej më shumë se një vit burgim për veprën penale "mashtrim me subvencionet". Vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë.
Në vendim thuhet se një person i dënuar për vepër penale me një vendim të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës. Sipas vendimit, procedura për të zgjedhur Qeverinë nuk është zhvilluar në përputhje me Kushtetutën, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese thotë se për të shmangur situata të tilla në të ardhmen duhet koordinim institucional.
"Kushtetuta dhe ligjet përkatëse vënë barriera të qarta normative për të mos lejuar personat e dënuar me burgim për kryerjen e veprave penale, që të zgjidhën deputet dhe të ushtrojnë mandatin e deputetit", thotë Kushtetuesja.
Ky paragraf ka nxitur debatin se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të lejohet kandidimi i kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti.
Albin Kurti është dënuar me kusht në shtator të vitit 2018 për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend. Ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani thotë se Albin Kurti, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk do të ketë të drejtë të garojë për deputet në zgjedhjet e reja për shkak të dënimit të formës së prerë në tre vjetët e fundit.
Megjithatë, ai shtoi se Kurti mund të kandidohet për postin e kryeministrit, nëse partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, i fiton zgjedhjet.
Pas vendimit paraprak të 21 dhjetorit ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani zhvilloi takime me përfaqësuesit e partive politike.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
“Për sa i përket dispozitave kushtetuese dhe ligjore në Republikën e Kosovës, që i japin përgjigje çështjeve të ngritura nga kjo kërkesë, Gjykata gjeti se:
Neni 71.1 i Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 29.1(q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përcakton se asnjë person nuk mund të jetë kandidat për deputet për zgjedhjet për Kuvend nëse është dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit;
Neni3 (6) i Kushtetutës përcakton se mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse ai/ajo dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, me një ose më shumë vite burgim. Ky përcaktim kushtetues përforcohet edhe me nenin 8.1.6 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, nenin 112.1.a të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nenin 25.1.d të Rregullores së Kuvendit
Gjykata vë në pah se neni 95 i Kushtetutës, siç është interpretuar përmes praktikës së saj gjyqësore, parasheh dy tentativa për të zgjedhur Qeverinë nga Kuvendi. Në të dyja rastet, Qeveria për t’u konsideruar e zgjedhur duhet të këtë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përkatësisht gjashtëdhjetë e një (61) vota. Nëse as pas tentimit të dytë nuk zgjidhet Qeveria, neni 95.4 i Kushtetutës parasheh shpalljen e zgjedhjeve nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Në dritën e kësaj, Gjykata thekson se në rastin konkret vihet në lëvizje paragrafi 4 i nenit 95 të Kushtetutës, sipas të cilit Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.”