Hoti: Vaksinat anti-Covid do të mbërrijnë në shkurt, brenda ditës do të vaksinohen 20 mijë qytetarë
Në një konferencë për mediat kryeministri, Avdullah Hoti ka folur për sigurimin e vaksinave anti-Covid për qytetarët e Kosovës.
Hoti ka thënë se është përgatitur strategjia e imunizimit në bazë të cilit përcaktohen qartë prioritetet e vaksinimit të qytetarëve me vaksinën anti-Covid.
“Ashtu si na vijnë sasitë e vaksinave do të kryhet vaksinimi i qytetarëve. Fillimisht mjekë dhe stafi tjetër shëndetësor, personat mbi moshën 65 vjeç, personat që kanë rrezikshmëri të lartë e cila përcaktohet nga lista e sëmundjeve”- tha Hoti.
Gjithashtu ai shtoi se në të gjitha komunat qendrat e mjekësisë familjarë do të udhëzohen që të përgatisin listat e qytetarëve në bazë të këtyre kritereve.
Hoti bëri të ditur se synojnë që brenda ditës të vaksinohen 20 mijë qytetarë.
“Kapaciteti ditor i institucioneve shëndetësore është ta vaksinohen rreth 20 mijë qytetarë brenda ditës”- tha ai
Kryeministri u shpreh se presin që vaksinat e para të arrijnë në shkurt dhe pastaj të shpërndahen sipas strategjisë së imunizimit.
Gjatë fjalës së tij Hoti nuk la pa përmendur dhe sasinë e vaksinave që Kosova pritet të marrë.
“Dje janë konkretizuar marrëveshjet me Pfizer për 535 mijë vaksina, edhe me Austrinë për 600 mijë vaksina, si dhe me COVAX më herët janë kryer proceduar për 720 mijë vaksina”- tha Hoti.