Kongresi mblidhet për certifikimin e Biden, Pence refuzon publikisht kërkesën e Trump për ta bllokuar
Anëtarët e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve janë mbledhur këtë të mërkurë në një seancë të përbashkët të Kongresit për të numëruar dhe certifikuar votat elektorale që rezultuan nga zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Nënpresidenti Mike Pence, në kapacitetin e presidentit të Senatit, po drejton seancën.
Nënpresidenti i SHBA Mike Pence tha të mërkurën se ai nuk beson që ka kompetencën për të pranuar ose refuzuar votat elektorale në mënyrë të njëanshme, por mirëpriti përpjekjet e ligjvënësve për të ngritur kundërshtime në lidhje me ato që ai quajti "parregullsi të votimit".
Deklarata vjen ndërsa Presidenti Donald Trump vazhdon të ushtrojë presion publik ndaj nënkryetarit të tij, duke u thënë mbështetësve në tubimin e tij në Uashington DC se ai do të ishte "shumë i zhgënjyer" nga Pence nëse nuk do t'i bindej thirrjes për të refuzuar rezultatet e zgjedhjeve.
Pence është përballur me presion të fortë nga Trump dhe një numër në rritje i ligjvënësve republikanë për të tërhequr prapa fitoren e Biden.
"Presidenca i përket popullit Amerikan dhe vetëm atyre," shkroi Pence.
Dhe ai ka të drejtë. Nënkryetari nuk ka asnjë autoritet ligjor për të deklaruar fitoren e Biden të pavlefshme.
Ky hap rutinë dhe përgjithësisht ceremonial që normalisht do të zyrtarizonte fitoren e demokratit Joe Biden, këtë radhë është kthyer në një provë të besnikërisë së republikanëve ndaj Presidentit Trump. Mbi 100 ligjvënës besnikë të presidentit pritet ta sfidojnë procesin e certifikimit.
Procesin e sfiduan të parët ligjvënësit e Arizonës. Refuzimi i tyre u prit me brohoritje nga republikanët e tjerë dhe një shprehje pakënaqësie nga ligjvënësit demokratë në sallë.
Sipas rregullores, çdo kundërshti mund të debatohet deri në dy orë; po ashtu duhet kohë që të numërohen votat në secilën Dhomë. Si rezultat, kjo ceremoni zakonisht e shkurtër, pritet të kthehet në një seancë të tejzgjatur.