Sulm i armatosur në Siri, raportohen dhjetëra të vrarë

Dhjetëra persona u vranë gjatë një sulm ndaj një autobusi me pjesëtarë të sigurisë së qeverisë siriane në Deir al-Zor të Sirisë.

Nuk ka informacione më të detajuara të incidentit që ndodhi në një zonë ku janë vendosur kryesisht ushtria siriane dhe milicitë e mbështetura nga Irani, pranë qytetit antik të Palmyra.

Agjencia AFP raporton se militantët e grupit Shteti Islamik (IS) vranë 37 ushtarë pasi i zunë pritën autobusit me të cilin po udhëtonin. Ky vlerësohet të jetë një nga sulmet më vdekjeprurëse që nga mposhtja e Shtetit Islamik vitin e kaluar, tha Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë që monitoron konfliktin në Siri.

Organizata tha se sulmi shënjestroi ushtarët e regjimit, ndërsa ata po udhëtonin në shtëpi për pushime. Agjencia zyrtare e lajmeve Sana raportoi se një "sulm terrorist" ndaj një autobusi vrau "25 qytetarë" dhe plagosi 13 të tjerë.

IS pushtoi pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut dhe shpalli një "kalifat" ndërkufitar më 2014. Grupi u mposht në Siri në mars të vitit të kaluar, por qelizat e tij vazhdojnë të kryejnë sulme, përkatësisht në shkretëtirën e gjerë që shtrihet nga provinca qendrore e Homs deri në Deir Ezzor dhe kufirin me Irakun.