BE dhe Kina bien dakord për një traktat të ri investimesh


BE dhe Kina kanë njoftuar se janë gati të firmosin marrëveshjen e shumëpritur për Investime midis Kinës dhe BE-së, që ka për qëllim hapjen e mundësive të reja fitimprurëse të korporatave.

Marrëveshja u konfirmua nga presidenti i Kinës, Xi Jinping dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen sot, 30 dhjetor, duke çuar drejt mbylljes me sukses të negociatave më të vështira të gati 7 viteve.

Valdis Dombrovskis, komisioneri i Tregtisë i Bashkimit Europian i tha “Financial Times” se marrëveshja përmban "rezultatet më ambicioze që Kina ka rënë dakord ndonjëherë me një vend të tretë" në lidhje me hyrjen në treg, konkurencën e ndershme dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

"Ne presim që bizneset evropiane të kenë më shumë siguri dhe parashikueshmëri për operacionet e tyre," tha ai. "Ne kemi disa ndryshime shumë të mirëpritura në rregullat e lojës, sepse për një periudhë të gjatë, marrëdhëniet tregtare dhe investuese me Kinën kanë qenë të paekuilibruara" u shpreh ai.

Një sërë rezultatesh bashkëpunimi midis dy palëve vërtetojnë me të dhëna të plota se Kina dhe Evropa janë dy forcat e mëdha të mbështetjes së njëra-tjetrës. Në vitin 2021, që po troket, popujt e vendeve të ndryshme shpresojnë të hapet së shpejti kapitulli i ri pas pandemisë. Për këtë, Kina dhe Evropa duhet të vazhdojnë përpjekje të përbashkëta, komenton Grupi Mediatik i Kinës (CMG)

Por marrëveshja mund të krijojë fërkime me administratën e ardhshme Biden në SH.B.A., e cila ka theksuar nevojën për bashkëpunimin transatlantik për të bërë presion mbi Pekinin, shkruan sot “Financial Times”

Njoftimi për marrëveshjen vjen vetëm dy ditë para afatit të rënë dakord nga Brukseli dhe Pekini vitin e kaluar.

Marrëveshja do të duhet të ratifikohet nga të dy palët për të hyrë në fuqi në fillim të 2022, sipas zyrtarëve të BE.

Sipas të dhënave të Eurostat, në 2019, BE eksportoi mallra me vlerë 198 miliardë euro (242 miliardë dollarë) në Kinë dhe importoi mallra me vlerë 363 miliardë euro (442 miliardë dollar amerikanë) nga Kina, sipas Bloomberg.