Kroaci, 7 viktima nga tërmeti, ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet nën rrënoja

Të paktën 7 persona janë gjetur nën rrënojat e shtëpive të rrëzuara një ditë më parë në Kroaci si pasojë e një tërmeti me magnitudë 6,2 në shkallën Rihter.

Kërkimet deri mëngjes konfirmuan deklaratën e kryebashkiakut të Petrinjës se gati gjysma e banesave të qytezës qendrore pësuan dëmtime nga lëkundjet e forta.

Deklarata e tij u shoqërua rastësisht nga një paslëkundje e fuqishme.

Një vajzë 12-vjeçare ishte e para viktimë e gjetur të martën poshtë mureve të shembura, ndërsa pas shtatë orëve kërkime trupi i një banori tjetër u gjet nën gërmadhat e një kishe në Sisak.

Për shkak të panikut nga shembjet por edhe me udhëzim të autoriteteve, qindra banorë e kaluan natën në strehët e ngritura nga administrata lokale, apo jashtë pranë zjarrit e të tjerë në makina.

Dhjetëra tërmete me magnitudë mbi 3 gjatë mbasdites, u pasuan në agimin e së mërkurës nga lëkundje me magnitudë deri 4,8, sërish me epiqendër afër qytezës së Petrinjës.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkovic, tha pas vizitës në terren se qyteza nuk duket më e pabanueshme për njerëzit por do rindërtohet me fondet e shtetit.

Ndërkohë tërmeti më i madh një ditë më parë, ai i orës 12:19, u ndje deri në vendet fqinje, në Bosnjë-Hercegovinë e Serbi, madje edhe në Itali.

Sizmologët e vendit thonë se presin të tjera paslëkundje deri në qetësimin e aktivitetit sizmik.