Greqia zyrtarizon zgjerimin në 12 milje në Jon, çështja detare me Shqipëri drejt Hagës
Greqia zyrtarizoi zgjerimin e ujërave territoriale në veri të Detit Jon pranë Shqipërisë nga 6 në 12 milje. Sipas medieve greke, tani hapet rruga e dërgimit të çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për zonat e kontestuara.
Qeveria e Greqisë miratoi dekretin e zgjerimit të ujërave territoriale nga gjashtë në dymbëdhjetë milje në veri të Detit Jon. Sipas gazetës ProtoThema, zgjerimi i ujërave në Detin Jon në përputhje me Konventën mbi Ligjin e Detit, përkthehet automatikisht në zgjerimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike ku Greqia gëzon të drejtën të zbulojë burime, përfshirë përdorimin e erës dhe ujit për prodhimin e energjisë.
Në të njëjtën kohë, përcaktimi i vijës bazë në rajonin e Detit Jon dhe përcaktimi i gjireve, si dhe zgjerimi i ujërave territoriale i hapin tani rrugën hartimit të një kërkese dypalëshe Greqi-Shqipëri për t’ju drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Zgjidhja e mosmarrëveshjes për kufirin detar midis dy vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare është rënë dakord gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias në Tiranë në takimin që ai pati me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Mosmarrëveshja daton që në vitin 2009, kur dy vendet nënshkruan një marrëveshje për delimitimin e kufirit detar, e cila më pas u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Projekt dekreti parashikon zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë nga gjashtë në dymbëdhjetë milje nga pika më veriore e ishujve Othoni në veriperëndim të Korfuzit, deri në kepin e Tainaro.
Dokumenti i qeverisë helene thekson se grupi i ishujve Othoni ose Diapontia përbëhet nga 11 ishuj dhe shkëmbinj, prej të cilëve tre janë në mëdhenj. Sipas projekt dekretit, në zonën e diskutueshme të Detit Jon ekzistojnë 39 gjire dhe limane.
Ujërat e mbyllura nga brigjet e këtyre gjireve dhe vijave të drejta, përcaktojnë kështu ujërat e brendshme, për të cilat zbatohet paragrafi i dytë i nenit 8 i Konventës për Ligjin e Detit, që njeh "të drejtën e kalimit të sigurt".