Mediu: Regjimi i korruptuar ka zaptuar çdo gjë

Kryetari Partisë Republikane Fatmir Mediu  ka zhvilluar një takim me banorë të zonës së Selitës në kryeqytet.

Në këtë takim ai theksoi se shqiptarët po jetojnë në një vend ku regjimi i korruptuar i Edi Ramës ka zaptuar çdo gjë. 

“A kemi liri, a kemi demokraci, a kemi standarde? A kemi një respect të shtetit karshi atyre që e votojnë? A janë shtetarët shërbëtorë të njerëzve? NUk të bën njeri fakti që je kryeministër, je deputet apo je ministër. Por kur je në këto pozicione ke disa detyrime shumë të mëdha. Që të besosh te njërëzit, të punosh për njerëzit dhe të vlerësosh çdo gjë që kërkojnë njerëzit.”

Sipas Mediut, kryeministri Rama me arrogancën e tij, po nxit një frymë përçarje dhe konflikti me njëri-tjetrin në vend.

“Një element tjetër shumë negative në politikë, elementin e përbuzjes, të sharjes dhe të fyerjes. Në të gjithë historitë e kombeve një njeri që shan, një njeri që përbuz, që fyen nuk mund të ndërtojë, vetëm shkatërron. Shqipëria ka vlera, ka tradita që po përpiqen ti shkelin me këmbë këta që janë sot në pushtet. Nëse kryeministri është përbuzës, është tallës, është përçarës, ashtu do të jetë dhe shoqëria.”

Në mbyllje të takimit, kreu i republikanëve tha se ka ardhur momenti që vendi duhet të ndryshojë mentalitetin dhe kulturën e të bërit politikë në të mirë të shoqërisë.