Vrasja makabër e çiftit Pasho, ish-e fejuara e Taulantit kyç gojën para prokurorit, avokati: Do shqyrtojmë më parë raportet

Shqiptarja 36 vjeçare Elona Kalesha e akuzuar për vrasjen e çiftit Shpëtime Teuta Pasho gjatë orëve të fundit është marrë në pyetje nga Prokurori i Hetimeve paraparake të çështjes në Gjykatën e Firenzes.

Ekskluzivisht  RTV ORA gjatë një bisede të gazetares Alba Kepi me avokatin e Elona Kaleshas ka zbardhur se 36 vjeçarja shqiptare nuk ka pranuar të flasë me prokurorët e çështjes e nuk iu është përgjigjur asnjë pyetje të tyre.

Ky vendim është marrë nën këshillimin e avokatit të cilët kanë vendosur të presin sa të marrin në dorë e të lexojnë dy raporte të rëndësishme të hetimeve ndaj kësaj ngjarje. 

Flitet për raportin e mjekut ligjor mbi gjurmët biologjike të rekuperuara në trupat e copëtuar të viktimave të gjetur në katër valixhe të hedhura në afërsi të autostradës Firenze-Piza si dhe të raportit të Policisë shkencore pas analizimit të dy apartamenteve të sekuestruar në Firenze. Apartamenti ku më parë ka jetuar çifti Pasho para zhdukjes dhe apartamenti ku Elona Kalesha jetonte me djalin e çiftit , Taulant Pasho.

Elona Kalesha do të pranoj t'ju përgjigjet pyetjeve të prokurorëve vetëm pasi së bashku me avokati i saj të lexojnë rezultatin e këtyre dy raporteve të rëndësishme.

Gjykata e Firenzes ka konfirmuar masën e arrestit me burg për Elona Kalesha si person  në lidhje me persona të rrezikshëm të botës së krimit si dhe me rrezikun e arratisjes së saj në rast se konfirmohej arresti shtëpiak. Jo indeferente mbetet në këtë vendim dhe dosja penale e Elona Kalesha e cila më parë është dënuar nga drejtësia italiane për grabitje e mashtrim.

Dosja paraprake hetimore ka zbardhur se ka motive të forta që Elona të jetë autori i krimit të dyfishtë por që nuk mund të ketë kryer e vetme por duhet të jetë ndihmuar nga 2 persona të tjerë.

Prokurorët italianë po hetojnë të gjitha lidhjet e thirrjet telefonike të kryera nga Elona gjatë javëve të fundit si dhe dëshmitë e saj në vitin 2015 në momentin e zhdukjes së çiftit.

"Hetimet janë ende në zhvillim" konfirmojnë burimet për RTV ORA.

Sipas ekspertizës mjeko ligjore Shpëtim Pasho është ekzektuar me një thikë 7.8 cm të gjatë ndërsa Teuta Pasho është dhunuar fizisht deri në marrje fryme.