Ndotja e lumit Gjanica, banorët: Institucionet bashkëpunëtorë ose të paaftë
Krimi mjedisor mbi lumin Gjanica nuk ka të ndalur, ndërsa institucionet lokale kanë dështuar të gjejnë e ndëshkojnë fajtorët.
Ndaj banorët e Fierit kanë dyshime nëse bëhet fjalë për paaftësi apo bashkëpunim në krim mjedisor.
Banori: Asnjë masë nuk është marrë. Do të thotë që këta flenë gjumë. Ose janë bashkëpunëtorë me ata që i derdhin.
Uji është kthyer i zi dhe mban aromë të rëndë. Dyshimet e banorëve janë tek kompanitë naftënxjerrëse, por edhe pse situata vazhdon prej ditësh, institucionet heshtin.
Banori: Të gjitha, rafineria, të gjitha ato vendburimet në Gjanicë derdhen.
Rehabilitimi i lumit Gjanica dhe dhënia fund e ndotjes ka qenë një premtim elektoral në çdo fushatë i kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi.
Madje në janar 2018 ai anonçoi me bujë një projekt për filtrimin e ujit.
Dy vjet më pas, rezulton se e gjitha ishte një shfaqje, ndërsa fasada nuk e fsheh dot atë krimin mjedisor që shikohet me sy e ndjehet në ajër.