Vijon me takimet, Basha: Oligarkët pushtetin ekonomik e përdorin për të diktuar vendime politike

Me ambicien për të fituar zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, kreu i PD Lulzim Basha ka bërë gati edhe platformën e tij për të drejtuar Shqipërinë, pas dy mandatesh të PS.

Lideri demokrat gjatë bashkëbisedimit me studentët e Fakultetit të Ekonomikut, iu shpjegoi atyre projektin e tij për një qeverisje të vogël, duke eleminuar burokracitë dhe shpenzimet e tepërta.

“Sot shteti shqiptar është defacto i falimentuar. Kam takuar dhjetra socialist që janë të mllefosur dhe jashtë tepsisë së rilindjes. Ne besojmë te qeverisja e vogël. Një reform e qeverisjes do të sjellë çlirimin e energjive të reja, ridimensionimin e administratës publike.”

Ndërsa shpalosi përpara të rinjve edhe politikat demokrate për arsimin, ekonominë si dhe ardhjen në ndihmë e shtresave më në nevojë. Sipas Lulzim Bashës, brenda 6 muajve të parë të qevrisjes së tij do të ndryshojë gjithçka.

“Të gjitha familjet me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj, do të përfitojnë subvencionim 100% të tarifave për të gjithë fëmijët e tyre që duan të ndjekin arsimin e lartë. Taksën e sheshte 9% për të subvencionuar fermerët, për të rritur pensionet.”

Sipas Kreut të PD, Rrënimi i ekonomisë në vend nuk ka ardhur vetëm nga pandemia, por përkeqësimi i situatës ka ardhur nga korrupsioni dhe kontrolli i parasë publike nga oligarkët.

“Oligarkët janë ata të cilët pushtetin e tyre ekonomik e përdorin për të diktuar vendime politike. Rruga për t’u marrë me ta, është ligji ynë antimafia, propozime të cilat do t’i bëjmë realitet muajt e parë të qeverisjes tonë.”

Lulzim Basha ngre dyshimin se ku janë çuar paratë e marra borxh nga qeveria për pandeminë, kur paketat mbështetëse për qytetarët janë në vlera shumë më të vogla.

“Janë marrë borxh thuajse 1.1 miliardë euro, është dhënë një paketë ekonomike 102 milion euro. Pra para ka. Ku shkojnë këto para?”

Shqetësimit të studentëve për mungesën e tregur të punës, Basha ju premtoj stazhe të paguara për ta.