E dielë aksidentesh në vend, fatmirësisht nuk shënohen viktima
3 të plagosur janë shënuar në aksin Lushnje-Fiershegan, ku dy automjete janë përplasur kokë më kokë.
Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur si pasojë e manovrimit të gabuar të të dy drejtuesve, të cilët janë marrë në pyetje, dhe lagështira në rrugë.
Një tjetër aksident është shënuar në superstradën Lezhë-Milot, pranë Urës së Milotit, ku janë përplasur dy automjete, njëra me targa të Kosovës dhe tjetra shqiptare, fatmirësisht pa dëme në njerëz. Nga aksidenti është bllokuar superstrada në të dy anët, duke u krijuar radhë të gjatë automjetesh.
Edhe në aksin rrugor Berat-Poliçan, në vendin e quajtur Uznovë e Madhe , dy mjete janë përplasur kokë më kokë.
Si pasojë e këtij aksidenti ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i mjetit tip “Honda”, i cili ka përfunduar në një kanal, ndërsa mjeti tip furgon nga goditja ështe përmbysur.
Shkak i aksidentit është bërë lagështira ku drejtuesi i mjetit “Honda” ka humbur kontrollin, i cili ka qënë duke hyrë në drejtim të Beratit , ndërsa mjeti tip furgon po udhëtonte në drejtim të Poliçanit.