Kryebashkiakja e Dimalit përfundon në SPAK, banori e akuzon se i shembi pronën për 20 mijë paund

Një tjetër kryebashkiake socialiste do të përballet me drejtësinë.

Por ndryshe nga raste e tjetra, kur denoncimet janë bërë nga PD, kryetarja e Bashkisë së Dimalit, Juljana Mema është kallëzuar penalisht nga një qytetar.

Mema akuzohet nga shtetasi Petrit Baho, për shpërdorim detyrë, shkatërrimin e pronës private, mashtrim, falsifikim dhe korrupsion.

“Kam bërë një denoncim për prishjen. Që nga dita që erdhi fadroma deri sot, unë nuk kam dijeni se për çfarë janë bërë. Thotë vetë që i ka dhënë 20 mijë paund Juljanës. Të gjithë kështu kanë thënë, ka dhënë lekë. Me këtë bashki që kemi ne, po na vret.”

Qytetari Petrit Baho, banor i fshatit Poshnje, pretendon që edhe pse kishte certificatë pronësie, bashkia ka vendosur shkatërrimin e pronës së tij në nëntor të këtij viti, për t’ja dhënë në shkëmbim të rryshfeti një shtetasi tjetër.

Së bashku me kryebashkiakun e Dimalit në kallëzimin penal janë përfshirë edhe dy punonjës të tjerë të bashkisë si dhe personi që pretendohet se ka përfituar nga kjo pronë.

“Kam pronën time tre katëshe me letra. Të sistemohet sipas ligjit që më takon. Më shkatërroi biznesin dhe nuk po punojmë dot. Kam shumë vite që jam i licensuar dhe mbaj familjen time me bukë.”

Për shkak të moskompetencës, këtë çështje Prokuroria e Beratit ja ka përcjellë SPAK-ut.

Kryebashkiakja e Dimalit nuk është e vetmja që do të duhet të përballet  me drejtësinë, pasi më herët ndaj kryebashkiakëve të zgjedhur të Shkodrës, Vorës, Vau të Dejës, Bulqizës, Matit dhe Mallakastrës u nisen procese gjyqësore, ku për Valdrin Pjetrin dhe Agim Kajmaku rezultoi  me bilanc negativ.

(Bashkia e Dimalit është aktualisht ish-Bashkia e Urës Vajgurore.)